Lajme
Përplasje në Britaninë e Madhe me ligjin që ndalon duhanin: Kush ka lindur pas vitit 2008 nuk do të mund të blejë kurrë cigare
Demokracia
22:18 | 17 Prill 2024

Share:

Mbrojtja shëndetësore apo neo-prohibitionism (është një lëvizje aktuale në përpjekje për të ndaluar konsumimin e alkoolit në shoqëri) joliberal?

Ligji kundër duhanit që do të votohet mbrëmjen e sotme në Parlamentin Britanik ndan konservatorët dhe rindez debatin për kufijtë e ndërhyrjes së shtetit.

Masa e kërkuar nga qeveria e Rishi Sunak prezanton një ndalim të blerjes së purove ose cigareve, përgjithmonë, për këdo që ka lindur pas vitit 2008.

Kjo do të thotë se mosha ligjore për pirjen e duhanit do të rritet me një vit çdo dymbëdhjetë muaj, deri në zhdukjen e duhanpirësve brenda disa brezave.

Është legjislacioni më radikal kundër duhanpirjes në botë dhe ndoshta do të jetë trashëgimia më e madhe e lënë pasardhësve nga qeveria Sunak, e dobët në rezultate të tjera.

Por është një pikë kthese që nuk i ka bindur të gjithë në radhët e konservatorëve: ligji do të kalojë, sepse mbështetet edhe nga Partia e Punës, megjithatë kryeministri i ka lënë të lirë të votojnë deputetët e partisë së tij dhe pritet që dhjetëra të rebelohen, duke përfshirë disa ministra.

Në krye të grupit janë dy ish-kryeministra, përkatësisht Boris Johnson dhe Liz Truss: i pari e përcaktoi masën si “absolutisht të çmendur” dhe e dyta e quajti atë një “shtet dado”.

Për Johnson, është qesharake që partia e Winston Churchill, një entuziast i madh i purove, dëshiron të ndalojë pirjen e duhanit, ndërsa Liz thotë se është kundër ndalimeve në përgjithësi.

Bien ndesh thirrja liridashëse dhe mbrojtja e shëndetit publik.

Ministrja e Shëndetësisë, Victoria Atkins, argumentoi se “mbrojtja e fëmijëve është një vlerë shumë konservatore. Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e brezave të ardhshëm nga varësia ndaj nikotinës”.

Dhe profesori Chris Witty, shefi mjekësor i vendit, i cili ka udhëhequr një fushatë publike në mbështetje të legjislacionit, shtoi se “të jesh në favor të zgjedhjes individuale duhet të nënkuptojë të jesh kundër varësisë së qëllimshme të fëmijët dhe të rinjtë”.

Por jo të gjithë janë të bindur: siç vërejti Simon Clark, drejtori i lobit pro-duhanpirës, “nëse jeni ligjërisht një i rritur, është diskriminim nëse ju mohohen të njëjtat të drejta si të rriturit që janë ndoshta vetëm një ose dy vjet më të mëdhenj se ti”.

Shkurtimisht, debati është se deri në çfarë mase shteti ka të drejtë të ndërhyjë në zgjedhjet individuale të qytetarëve, sado të dëmshme që ato të jenë.

Por është edhe një çështje ekonomike: vlerësohet se 76 mijë vdekje në vit në Britaninë e Madhe i atribuohen pirjes së duhanit dhe se edhe më shumë njerëz vuajnë nga sëmundje kronike për këtë arsye, gjë që i ngarkon shërbimin shëndetësor një barrë të paqëndrueshme.

Sidoqoftë, varësia ndaj duhanit po zvogëlohet vazhdimisht: tani vetëm 13% e popullsisë britanike numërohet në mesin e duhanpirësve.

Të ngjashme