Një tentim vrasje ndodhi sot në fshatin Strellc të Deçanit. Burime të Tëvë1 mesojnë që krejt ngjarja nisi pas një përplasje në rrjetet sociale.
Ditën e filluan në njërin nga lokalet e fshatit Strellc të Epërm të Deçanit.
Por, ndejën nuk e mbaruan qetë sikurse e filluan.
Disa burra nga ky fshat, u përleshen mes vete mëngjesin e së mërkurës pikërisht në këtë vend.
Por, kjo nuk ishte përballja e parë e tyre, siç merr vesh televizioni ata kishin pasur përplasje edhe në rrjetet sociale.
Mirëpo, nuk e lanë me kaq.
Një person dyshohet të ketë goditur me veturë dy persona të tjerë. I dyshuari është emër i njohur për Policinë dhe i njëjti ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Policia kishte marrë informatën se në orët e mëngjesit kishte ndodhur një aksident trafiku por më pas doli të jetë tentim vrasje.
“Sot rreth orës 8:25 stacioni policor në Deçan fillimisht është njoftuar për një aksident në fshatin Strellc. Me të arritur në vend të ngjarjes policia e ka kuptuar se kishte të bënte me një aksident, përleshje, pas përleshjes kanë dal jashtë njëri nga personat e rastit i ka goditur me veturë personat të cilëve u ka shkaktuar lëndime. Të lënduar janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan e pastaj në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë”, ka thënë zëdhënësi i PK-së për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Në vend të ngjarjes doli edhe prokurori i krimeve të rënda nga Prokuroria Themelore në Pejë.
Zëdhënësi i kësaj Prokurorisë, Shkodran Nikqi ka dhënë detaje shtesë rreth rastit.
“Është fazë shumë e hershme për të thënë se cili është motivi por ne jemi duke punuar intensivisht bashkë me Policinë e Kosovës për të kuptuar rrethanat duke identifikuar edhe dëshmitarët e ndryshëm mund të shërbejnë edhe si dëshmitar me deklaratat e tyre. Menjëherë në vendin e ngjarjes janë grumbulluar prova të cilat janë sekuestruar. Në bazë të informata fillestare dyshohet që ka edhe vepra tjera penale mirëpo këto çështje duhet të konfirmohen çka është e rëndësishme të lokalizohet, arrestohet dhe me pas të bëhet caktimi i masës së paraburgimit ku do të bashkëngjitet edhe e kaluara kriminale”, thotë Nikçi.
Personat e lënduar sipas Policisë kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe pas tretmanit mjekësore janë dërguar për në stacionin policor ku janë intervistuar.