Lajme
Përplasja brenda pushtetit: Peci e quan ‘amatoresk’ vendimin e motrës së Fitore Pacollit si gjyqtare në Komerciale
Demokracia
11:50 | 12 Mars 2024

Share:

Gjykata Komerciale, shkalla e dytë, ka vendosur që të mbyllet sërish pompa e derivateve “Patroni” që gjendet afër Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Lajmin për këtë e bëri të ditur vet ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Megjithatë, ajo që bëri përshtypje në postimin e tij ishte cilësimi ndaj vendimit të shkallës së parë. Kjo pasi Gjykata Komerciale në shkallën e parë, e kishte shtyrë ekzekutimin e vendimit për mbylljen e kësaj pompe.

Dhe vendimi ishte marrë nga gjyqtarja në Komerciale, Vlora Pacolli-Rexhepi, e cila është motra e deputetes së VV-së, Fitore Pacolli.

E Faton Peci në postimin e sotëm, e ka quajtur ‘amatoresk’ dhe ‘joprofesional’ vendimin e shkallës së parë të marrë nga motra e Fitore Pacollit.

“E përshëndes vendimin e Shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, i cili hedh poshtë vendimin amatoresk e jo-profesional të shkallës së parë karshi kontestit për lirimin e pronës së Ministrisë së Bujqësisë e cila po shfrytëzohet pa marrëveshje kontraktuale nga operatori ekonomik “Patroni”!”, thuhet në postimin e ministrit Peci.

“Sikurse edhe kemi paralajmëruar, në atë lokacion do të ndërtohet objekti i ri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencive vartëse në mënyrë që t’i plotësojmë kushtet për akreditimin në IPARD”, ka shkruar ai.

Peci është zotuar se nuk do të ndalet.

“Mbetem i përkushtuar dhe i vendosur në angazhimin tim si Ministër deri në rikthim të pronës në Ulpianë dhe pastrimin e gjendjes në Stankaj të Pejës! Pa pardon karshi abuzimit me pronën shtetërore! Me drejtësi dhe ndershmëri!”, ka shkruar ministri.

Pra, me vendimin e shkallës së dytë, kjo pompë e derivateve është mbyllur sërish.

Çfarë thuhej në vendimin e Vlora Pacollit?

Gjykata Komerciale e Kosovës kishte vendosur në favor të N.T.SH “Patroni” për shtyrjen e vendimit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dikaster që udhëhiqet nga Faton Peci, e cila ditë më parë kishte mbyllur këtë pompë të derivateve.

Gjyqtarja e Komerciales, Vlora Pacolli kishte vlerësuar se ekzekutimi i vendimit do t’i sillte dëm kompanisë në fjalë dhe se vështirë do të riparohej.

Po ashtu, gjykata vlerëson se në rast të ekzekutimit të vendimit të ministrisë, “Patronit” do t’i pamundësohej realizimi i fitimeve nga aktiviteti i tij ekonomik, e rrjedhimisht kjo do të ndikonte edhe në ndërprerjen e të ardhurave financiare për të punësuarit në këtë ndërmarrje.

“Shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe palës kundërshtare nuk i shkakton ndonjë dëm pasi që paditësi do të vazhdojë të paguajë kompensimin e të paditurit në emër të shfrytëzimit të pronës së paluajtshme sipas obligimeve kontraktuale deri në marrjen e një vendimi përfundimtar në gjykatë lidhur me çështjen kryesore sipas kërkesëpadisë”, thuhet tutje në arsyetimin e gjykatës.

Ministria e Bujqësisë kishte nxjerrë vendim përmes së cilit obligohet lirimi i dy pronave të shtetit përball objektit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë në Prishtinë, e njëra nga to ishte “Patroni”.

Pronari i “Patronit”, Driton Morina e kishte quajtur diskriminues vendimin e ministrisë për rrënimin e biznesit të tij.

Të ngjashme