Lajme
Përplasi për vdekje 7-vjeçaren, 12 vite burg për ish-policin
Demokracia
08:15 | 23 Maj 2024

Share:

12 vite heqje lirie për ish-policin, Arjan Tase, i cili akuzohet për veprën penale “vrasje me dashje” të 7-vjeçares Jonada Avdia.

Sipas vendimit zyrtar të Gjykatës së Vlorës, Tase përfiton nga gjykimi i shkurtuar. Pra nga 18 vite burg, ai do kryejë vetëm 12.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht të vitit 2022, ku Tase përplasi me mjet lundrues të miturën në breg të detit në Potam, duke e prerë në gjithë trupin. Më 8 maj, Prokuroria e Vlorës kërkoi 15 vite burg për Tasen.

“Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në bazë të nenit 378 të K.Pr.Penale ka parashtruar konkluzionet përfundimtare në lidhje me procedimin penal nr.918 të vitit 2022 me të pandehur shtetasin A.T. i akuzuar për veprën penale ‘Vrasja me dashje’ parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. Kjo prokurori, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit A.T., dhe dënimin e tij me 15 vite burg për veprën penale ‘Vrasja me dashje’. Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, deklaron se provohet se ditën e ngjarjes, në datën 02.08.2022, rezulton se i pandehuri A.T., ka qënë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorrë dhe pasi ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi B.A. me vajzën e tij J.A., mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorrat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin. E mitura J.A. ndërroi jetë në moment. Në lidhje me të pandehurin A.T., nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, kqyrja e vendit të ngjarjes, e pamjeve filmike, provohet të ketë konsumuar elementët e veprës penale të “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal në formën e dashjes indirekte. Organi i akuzës, ka bindjen e plotë se i pandehuri A.T., ka konsumuar elementët e veprës penale ‘Vrasja me dashje’, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, në lidhje me kualifikimin e faktit penal si ‘Vrasja nga pakujdesia”, njoftoi Prokuroria./tvklan.al

Të ngjashme