Lajme
Përparim Rama nuk deklaron pasurinë e bashkëshortes, ndonëse e kërkon ligji
Demokracia
19:00 | 24 Prill 2025

Share:

Nëse lexohet me kujdes deklarimi i pasurisë së Përparim Ramës, krijohet përshtypja sikur bëhet fjalë për një profil të publikuar në ndonjë faqe të “Forbes”. Apartamente në Londër, objekte afariste, një “Tesla”, kompani ndërkombëtare, piktura me vlerë sa një koleksion muzeal, qira mujore që tejkalojnë pagën vjetore të një mësimdhënësi në Kosovë. Por një detaj mungon, gruaja.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë publike pasurinë e tij, duke përfshirë prona të shumta në Kosovë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe aksione në kompani vendore dhe ndërkombëtare. Megjithatë, ai nuk ka përfshirë në deklarimin e tij asnjë të dhënë për pasurinë e bashkëshortes, një kërkesë ligjore që buron nga Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, shkruan Demokracia.com.

Sipas këtij ligji, çdo zyrtar i lartë publik është i detyruar të deklarojë edhe pasurinë e bashkëshortes ose bashkëshortit, nëse jetojnë në të njëjtën bashkësi familjare. Ky detyrim ekziston për të garantuar transparencë të plotë dhe për të parandaluar fshehjen e pasurisë përmes anëtarëve të familjes.

Në deklarimin e tij të pasurisë, Rama ka zbuluar një shumëllojshmëri pronash dhe biznesesh, përfshirë gjashtë prona banimi e afariste, një veturë luksoze, koleksion pikturash në vlerë prej 4 milionë eurosh, aksione në të paktën tetë kompani dhe të ardhura të konsiderueshme nga qiratë në Londër. Por, përkundër kësaj transparence selektive, deklarimi i tij nuk përmban asnjë informacion për pasurinë apo të ardhurat e bashkëshortes, të cilat sipas ligjit duhet të jenë pjesë e formularit të dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Rama, nuk e ka bërë publike pasurinë e gruas, pagën as pronat e saj, prej që është emëruar kryetar.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit nuk ka ndërmarr asnjë hap lidhur me përputhjen e deklarimit të Ramës me detyrimet ligjore. Në të kaluarën, AKPK ka ndërmarrë veprime ndaj zyrtarëve që kanë lënë pa deklaruar pasurinë e bashkëshortëve apo anëtarëve të tjerë të familjes, përfshirë gjoba apo kallëzime penale për mosrespektim të ligjit. /Demokracia.com/

“Piktura në vlerë 4 milionë euro”| Pasuria e Përparim Ramës, prona milionëshe në Kosovë dhe Londër, aksione, objekte me qera

 

Të ngjashme