Lajme
Përparim Rama dhe kreditë nga viti 1900: Fantazitë financiare në deklarimin e pasurisë
Demokracia
14:30 | 07 Dhjetor 2024

Share:

Deklarimi i pasurisë, ky proces i mërzitshëm ligjor që ngushton lirinë krijuese të zyrtarëve të Kosovës, duket se ka qenë tepër i thjeshtë për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama. Me një kombinim të habitshëm të kreativitetit, Rama ka arritur të shpikë një metodë të re për të habitur edhe vetë historinë financiare të njerëzimit: ka deklaruar kredi nga viti 1900 me afate pagese në po të njëjtin vit, shkruan Demokracia.com.

Deklarimet e pasurisë janë një nga mjetet kryesore për të rritur transparencën dhe për të parandaluar korrupsionin në mesin e zyrtarëve publikë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar mbi tre milionë euro kredi në formularin e pasurisë për këtë vit. Deri këtu gjithçka duket normale, por pastaj fillon absurdi. Sipas deklaratës së tij, disa kredi janë marrë dhe shlyer në të njëjtën ditë të vitit 1900, një shekull para se të lindte vetë. Ndërkohë, për kreditë e tjera, datat e marrjes dhe afatet e shlyerjes janë gjithashtu të mbushura me pasaktësi që sfidojnë logjikën bazike.

Për shembull, një nga kreditë thuhet se është marrë më 21.04.2016 dhe është shlyer po më 21.04.2016, ndonëse është deklaruar një afat prej 300 muajsh për shlyerjen e saj. Mirëpo, ‘perlën’ e këtyre deklarimeve e përbëjnë tri kreditë e fundit, të cilat janë të lidhura me datën e pamundur 01.01.1900. Si është e mundur që këto detaje të mos kenë ngritur alarmin te Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (AKK)?

Demokracia.com ka adresuar pyetje të qarta dhe konkrete te AKK lidhur me këto pasaktësi:

  1. Si e shpjegoni përputhjen e datave të fillimit dhe mbarimit të kredive në disa raste të shënuara në deklaratën e pasurisë së deklaruesit?
  2. A janë verifikuar detajet e këtyre kredive nga Agjencia?
  3. Në rast se këto mospërputhje janë vërejtur nga Agjencia, a është njoftuar deklaruesi për të përmirësuar apo plotësuar deklaratën?
  4. Çfarë masash merr Agjencia nëse konfirmohet se ka pasur shkelje në deklarimin e kredive, përfshirë raste me data të paqarta apo të dyshimta?

AKK-ja, e cila ka për detyrë të verifikojë dhe sigurojë që deklarimet e pasurisë janë të sakta dhe transparente, nuk ka ofruar asnjë sqarim për këto pyetje deri më tani.

Kjo situatë lë hapësirë për dyshime serioze. A është sistemi i kontrollit të pasurisë aq i dobët sa që lejon gabime të tilla të kalojnë pa vëmendje? Apo kemi të bëjmë me një neglizhencë të qëllimshme që synon të fshehë të dhëna të rëndësishme për publikun? /Demokracia.com/

Të ngjashme