Lajme
Përmbaruesit paralajmërojnë se do ta dërgojnë në gjykatë vendimin për ulje të tarifave në 40%
Demokracia
13:44 | 17 Prill 2022

Share:

Oda e Përmbaruesve Privat po e kundërshton udhëzimin administrativ për zbritjen në 40 për qind të tarifave të përmbarimit privat. Madje, kjo odë po paralajmëron edhe ballafaqimin e këtij udhëzimi me procedura gjyqësore, pasi e konsiderojnë të dëmshëm dhe me pasoja qoftë për personat që janë të punësuar te këto zyra përmbarimore, po ashtu edhe për palët e dëmtuara.

Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat, Arben Gashi, e quan shqetësues faktin e uljes së tarifës së përmbarimit në 40 për qind kur janë rritur çmimet për mallra dhe shërbime.

“Është shqetësues fakti se si mund të zvogëlohen tarifat e përmbarimit që janë tarifa gjyqësore në masën 40% kur çdo çmim tjetër për mallra dhe shërbime është në ngritje duke e pasur parasysh krizën që po kalojmë jo vetëm ne si Kosovë. Rritja e çmimeve të shërbimeve të tjera me automatizëm ka ndikim edhe në punën e përmbaruesve dhe në vend që ne si shoqëri të bisedojmë për ngritjen e tarifave të përmbarimit ne tash bisedojmë për ulje të tyre madje në masën 40%. Kjo është e dëmshme, e gabuar dhe do të ketë efekte dhe pasoja të mëdha dhe afatgjate”, deklaroi Gashi.

Largimi nga puna e punëtorëve që punojnë në zyrat e përmbaruesve, pala që kërkon borxhin e saj me këtë udhëzim do të duhet t’i paguajë shpenzimet përmbarimore dhe rritja e kamatave kreditore deri në 8%, janë disa nga këto pasoja që paralajmërohen se do presin sistemin përmbarimor, sipas Gashit.

Gashi kërkon nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu që sa më parë ta shfuqizojë këtë udhëzim administrativ të cilin e konsideron të dëmshëm dhe negativ.

“Ne e kundërshtojmë në tërësi dhe kërkojmë shfuqizimin e tij të menjëhershëm dhe konsiderojmë që ky udhëzim i ri i ministres Haxhiu do të ketë pasoja shumë negative të dëmshme për një kohë të gjatë nëse i njëjti zbatohet prandaj kërkojmë shfuqizimin e tij. Haxhiun në vazhdimësi e kemi informuar për këto pasoja të mundshme që ne i parashohim dhe i kemi sugjeruar të mos ngutet me nënshkrimin e udhëzimit e kemi në proces në Kuvend ndryshimin e ligjit e ndryshojmë ligjin dhe dispozitën 13 i rregullojmë sikurse është standardi çdo ku në botë pastaj ulemi dhe bisedojmë për tarifa”, deklaroi ai.

Sipas tij, zbritja e tarifave përmbarimore në masën 40% e ka përdhosur punën dhe angazhimin e tyre 8 vjeçar. Nëse ky vendim nuk anulohet, Gashi ka njoftuar se udhëzimin administrativ do e sfidojnë me procedura gjyqësore, por nuk përjashtojë edhe veprime të tjera për të kundërshtuar udhëzimin.

“Ta bllokojmë në tërësi punën ose edhe të ofrojmë edhe dorëheqje grupore si dhe t’i njoftojmë kandidatët e tjerë eventualisht që nuk ia vlen të merresh me këtë profesion se pas gjithë këtij angazhimit dhe pune të madhe papritmas vjen një udhëzim që të hedh për tokë. Një nga veprimet sigurisht do të jetë që ta sfidojmë përmes procedurave gjyqësore për veprimet e tjera të radhës do të shohim dhe sigurisht që do t’i vlerësojmë edhe pasojat e veprimeve tona dhe duhet t’i vlerësojmë synimet tona profesionale”, u shpreh Gashi.

Sa i takon ndalimit të ekzekutimit të përmbarimit të të ardhurve nga skema sociale e pensionale deri në shumën e pagës minimale, Gashi tha se kjo është rregulluar dhe funksionon tash e 5 vite.

“Skema sociale, ndihma sociale nuk preket nga përmbaruesi që nga viti 2017, pra ka 5 vite që kjo punë është e rregulluar nuk ka nevojë të proklamohet diçka që është kryer para 5 vitesh kjo është veç në funksion nuk preket ndihma sociale nuk e di arsye se përse po përmendet tani një punë që është kryer para 5 vitesh”, tha ai.

Gjatë kësaj jave ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nënshkroi udhëzimin adminitrativ përmes të cilit ulen në 40% tarifat e përmbaruesve privatë. Sipas këtij, udhëzimi parashihet edhe lirim nga pagesa fillestare për kreditorët me gjendje të rëndë ekonomike.

Në Kosovë veprojnë 41 përmbarues privatë.

Të ngjashme