Lajme
Përleshje dhe protesta, Parlamenti i Izraelit e miraton ligjin për reformën në drejtësi
Demokracia
17:22 | 24 Korrik 2023

Share:

Pavarësisht manifestimeve më të mëdha në historinë e Izraelit, parlamenti miratoi ligjin kryesor të reformës në drejtësi.

Mes një debati të ashpër dhe shpeshherë të tensionuar, deputetët votuan pro ndryshimeve që kufizojnë fuqinë e Gjykatës së Lartë për të kthyer vendimet e qeverisë që konsideroheshin të paarsyeshme.

Kjo është e para e një sërë reformash shumë të kundërshtuara që po ndërmerren nga kryeministri Benjamin Netanjahu, me qëllimin e vetëm që të kufizohet pushteti i gjykatave. Përpara votimit, qindra protestues u mblodhën pranë parlamentit në Jeruzalem, si pjesë e demonstratave që kanë nisur prej javësh kundër kësaj reforme.

Policia përdori ujin me presion për të shpërndarë njerëzit e grumbulluar, ndërsa arrestoi dhe dhjetëra prej tyre.

“Erdhëm për të protestuar kundër ndryshimeve administrative në Izrael. Ne kemi frikë se po hymë në një diktaturë. Ne dëshirojmë të tregojmë me performancën tonë se si do jetë ajo. Prandaj ne jemi veshur si gjykatës dhe jemi prangosura, gjithashtu jemi lidhur me një litar që tërhiqet nga Bibi. Kjo nënkupton që Netanjahu, dëshiron të kontrollojë të gjithë gjykatësit që t’i shpëtojë drejtësisë”, tha protestuesja Galit Hermoni.

Opozita dhe kundërshtarët e reformës në drejtësi kanë paralajmëruar se ndryshimet e kërkuara rrezikojnë demokracinë në Izrael.

Qeveria është mbrojtur duke pretenduar se ato masa janë të nevojshme për të korrigjuar pabarazinë mes pushteteve, me gjykatat që kanë ndërhyrë ndjeshëm në vendimmarrjet politike përgjatë dekadës së fundit.

Protestuesve u janë bashkuar në manifestim edhe rreth 150 firma e kompani të mëdha, përfshirë banka, që kanë nisur një grevë kombëtare. Reforma në drejtësi është kërkuar nga kryeministri Benjamin Netanjahu, i cili la dhe spitalin më herët vetëm për ta votuar ligjin që u heq të drejtën gjykatave të hedhin poshtë vendimet e qeverisë.

Opozita dhe protestuesit akuzojnë kryeministrin se po tenton të shpëtojë nga akuzat për korrupsion, pasi një gjyq lidhur me këtë çështje po bëhet kundër tij.

 

Të ngjashme
Lajme • 27 Prill 2025