Lajme
Përkujtohet masakra e Raçakut, Ismajli: Institucionet qendrore e harruan 15 janarin
Demokracia
11:17 | 15 Janar 2021

Share:

Në 22 vjetorin e masakrës së Raçakut, Kuvendi Komunal i Shtimes ka mbajtur mbledhje përkujtimore, ku u tha se kjo masakër është çmimi për lirinë që sot e gëzon Kosova.

Mos organizimin e ndonjë aktiviteti për ta shënuar këtë përvjetor nga institucionet qendrore e ka kritikuar kryetari i Komunës së Shtimes Naim Ismajli, raporton KosovaPress.

Ai tha se këtë vit 15 janari është harruar nga institucionet qendrore, derisa tha se aktivitet për këtë ditë organizohen nga presidenca e vendit.

 

“Është kohë pandemie dhe të gjithë e dimë, pandemia na kufizon në tubime, pandemia na obligon që të respektojmë masat dhe protokolin, por pandemia nuk na obligon apo nuk na thotë që ta harrojmë historinë. Mjerisht këto ditët e fundit sikur institucionet tona qendrore harruan komplet 15 janarin. Nuk kishte asnjë zë edhe pse kjo ngjarje është dhe organizohet nën protokollin e presidentit dhe ne nuk kemi të paktën asnjë lëvizje, asnjë komunikim, të paktën sqarim se si do të organizohet, por Komuna e Shtimes, Raçaku nuk mund ta harrojë kaq lehtë dhe ne e kemi organizuar në mënyrën modeste për të treguar se vlera e Raçakut nuk ka çmim dhe është më e shtrenjta, sepse ajo bëri kthesë në histori. Në Raçak u filluan mbi 40 martirë”, tha ai.

Ismajli tha se tmerri i përjetuar 22 vjet më parë në Raçak pati si dëshmitar ambasadorin William Walker, të cilin tha se e falënderon për guximin dhe fjalën e drejtë e të vërtetën që e ka treguar.

Ai tha se edhe në atë kohë edhe tash 22 vite pas masakrën e Raçakut, Serbia tenton ta shtrembërojë.

“Këtë ngjarje po e përkujtojmë edhe me një mungesë të madhe të protagonistëve kryesor të cilët e bënë luftën, e udhëheqë luftën, e sollën lirinë, e shpallen pavarësinë, i dhanë kahje zhvillimit dhe ndërtimit dhe integrimit të Kosovës në gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, ndërtuan partneritetin dhe miqësinë. Me plotë të drejtë dhe me plot kuptim thuhet gjithandej sllogani ‘Liria ka emër’, po ka emër dhe emri i saj është Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj e lavdishme. Emri i saj janë të gjithë ata martirët të cilët ranë në Kosovë, emri i saj gjithsesi janë edhe këta protagonistë që sot padrejtësisht gjenden në tribunalin e Hagës”, tha ai.

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Shtimes, Medina Brahaj, tha se në këtë 22 vjetor kujtojnë njerëzit e pafajshëm që u vranë në mënyrën më mizore vetëm pse ishin shqiptarë.

“Sot jemi mbledhur për shënimin e ditës përkujtimore të 15 janarit, shënimit të 22 vjetorit të masakrës së Raçakut. Masakra e Raçakut është çmimi i lirisë së Kosovës, Raçaku është rrëfimi i dhimbjes dhe krenarisë, është forca dhe guximi. Populli ynë në rrugëtimin e vet për liri u përballë me shumë vuajtje e sakrifica nga pushtuesit, por lufta e fundit është epopeja më e lavdishme, sa krenare po aq e dhimbshme. Dita e masakrës së Raçakut ishte ditë e dhimbjes, por edhe ditë e kthesës historike. Kjo ditë nxiti botën demokratike të rreshtohet në krahë të popullit të Kosovës për realizimin e kërkesës legjitime, liri. Ngjarja që ndodhi në këtë fshat të vogël ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës, që është amaneti i gjeneratave të tëra dhe këtë amanet ne duhet ta çojmë në vend për ta bërë shtetin e krenarisë për të gjitha ata që sakrifikuan”, tha ajo.

22 vite më parë forcat policore dhe ushtarake serbe në Raçak kryen njërën nga masakrat më të mëdha, ku u vranë e u masakruan 45 qytetarë të paarmatosur.

Të ngjashme