Lajme
Përkujtohen dëshmorët e Prishtinës, vlerësohet lartë sakrifica e tyre
Demokracia
21:40 | 18 Prill 2025

Share:

Në nderim të sakrificës për atdhe u përkujtuan dëshmorët e Prishtinës. Nga fytyrat politike u vlerësua lartë kontributi i tyre për lirinë e vendit.

Ka 26 vite që prehen në këto varreza.

Në përvjetorin e rënies së dëshmorëve të Prishtinës, këtë të premte u mbajtën homazhe në Velani.

Për të vlerësuar kontributin e tyre, erdhën edhe krerët shtetërorë.

E para e shtetit, Vjosa Osmani shprehu mirënjohje maksimale për rolin e dëshmorëve gjatë luftës.

“Këtu në Velani prihen një numër i madh i dëshmorëve të cilët kanë dhënë jetën për Kosovën që është edhe një dëshmi për luftën e gjatë për lirinë tonë, pavarësinë e shtetin që e gëzojmë sot. Prandaj i përkujtojmë të gjithë me respektin më të thellë dhe çdo ditë udhërrëfyes e kemi sakrificën që e dhanë këta dëshmorë në tokën e Kosovës”, tha Osmani.

E kontributin e dëshmorëve për Kosovën e çmoi lartë edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

“Ditë madhështore 18 prilli, dita kur edhe i nderojmë dëshmorët e sidomos ata të rrethit të Prishtinës të Gollakut. Jam këtu edhe me Komandat Remin dhe me shokët e tijë me luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës. Kemi ardh së bashku edhe vijmë cdo herë në këtë ditë për me nderu sakrificën e dëshmoreve e heronjve tanë njerëzve të mëdhenj, familjeve po ashtu që  na kanë mundësuar që sot me gëzuar lirinë e demokracinë”, tha Rama.

I pranishëm ishte edhe ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e LLapit, Rrustem Mustafa, i njohur me nofkën komandant “Remi”.

“Sot është ditë e madhe për Prishtinë është dita e dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, unë vetëm kisha me i uruar të gjithë qytetarët, gjithë familjet e dëshmorëve, gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe qytetarët në përgjithësi”, deklaroi Mustafa.

Për të bërë homazhe për dëshmorët e rënë, ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Me rastin e shënimit të Ditës së Dëshmorëve, Komuna e Prishtinës, organizoi aktivitetet përkujtimore edhe në Makovc dhe në Marevc.

Të ngjashme