Lajme
Përkrahësi i LVV-së bëhet drejtor në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK
Demokracia
17:45 | 08 Prill 2022

Share:

Ardian Shefkiu është zgjedhur drejtor i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përmes një konkursi që ishte hapur para disa ditësh.

Mirëpo edhe Shefkiu rezulton të jetë simpatizant i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Demokracia.com.

Në profilin e tij në rrjete sociale, Shefkiu ka të shpërndara postime të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkretës, i cili njëherësh është edhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Kuvendin e Kosovës.

Jo vetëm të Shkretës, por Shefkiu në të kaluarën i kishte shpërndarë edhe postimet e kryeministrit Albin Kurtit në vitin 2021.

Demokracia.com ka mësuar se drejtori i përzgjedhur në Klinikën e Neurologjisë, Edmond Komoni, njihet për afërsinë e tij me zëvendësministren e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku. Ndërsa, drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci, njihet për afërsi me drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi.

Po ashtu, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) është bërë me drejtorë të rinj edhe në klinikat e tjera.

Besimin për të udhëhequr Klinikën e Radiologjisë e ka marrë Dr, Shkëndije Nuza, për të cilën Demokracia.com kishte raportuar para disa muajsh se pritet të bëhet drejtoreshë aty.

Në Klinikën e Onkologjisë është zgjedhur Dr. Ardian Millaku.

Klinikën e ORL-së do ta udhëheq Dr. Arsim Behramaj.

Ky konkurs ishte hapur më 31 dhjetor të vitit 2021 dhe ishte anuluar dhe rihapur në muajin shkurt.

Drejtorët e rinj ende nuk e kanë marrë detyrën, pasi që tani është periudha e anekseve nga palët e pakënaqur. /Demokracia.com/

Të ngjashme