Federata e Futbollit të Rusisë, ka reaguar pas vendimit të FIFA-s dhe UEFA-s për suspendimin dhe përjashtimin e të gjitha klubeve dhe përfaqësueseve ruse nga garat.
Në reagimin e federatës ruse, thuhet se ky vendim është diskriminues dhe në asnjë mënyrë nuk pajtohet me të.
Madje, federata ruse ka paralajmëruar se do ta sfidojë këtë vendim të marrë nga FIFA dhe UEFA.
“Federata e Futbollit të Rusisë kategorikisht nuk pajtohet me vendimin e FIFA-s dhe UEGA-s për të pezulluar dhe përjashtuar të gjitha ekipet ruse nga pjesëmarrja në ndeshjet ndërkombëtare për një periudhë të pacaktuar. Mendojmë se ky vendim është në kundërshtim me normat dhe parimet e konkurrencës ndërkombëtare, si dhe me frymën sportive. Ka një karakter të dukshëm diskriminues dhe dëmton një numër të madh sportistësh, trajnerësh, punonjësish të klubeve dhe ekipeve kombëtare, dhe më e rëndësishmja, miliona tifozë rusë dhe të huaj, interesat e të cilëve organizatat sportive ndërkombëtare duhet të mbrojnë në radhë të parë”, thuhet në reagim.
“Veprime të tilla po përçajnë komunitetin sportiv botëror, i cili gjithmonë i është përmbajtur parimeve të barazisë, respektit të ndërsjellë dhe pavarësisë nga politika. Ne rezervojmë të drejtën për të kundërshtuar vendimin e FIFA-s dhe UEFA-s në përputhje me ligjin ndërkombëtar të sportit”. /Demokracia.com/