Lajme
“Përgjimet e Mimoza Kusarit” | Kurti publikisht kërkonte dorëzimin e kriminelit Radojçiq, por në prapaskenë i koordinonte punët e Qeverisë dhe grupit parlamentar të VV-së
Demokracia
14:35 | 10 Korrik 2023

Share:

Maskat po bien. Për vite të tëra kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, nuk lanë njeri pa akuzuar për bashkëpunim me Listën Serbe dhe bandat serbe në veri të Kosovës, në krye me Milan Radojçiq.

Por, gjërat nuk paskan qenë siç duken. Edhe Albin Kurti përmes njerëzve të tij, i paska koordinuar punët e Qeverisë dhe grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, shkruan Demokracia.com.

Kjo u zbulua sot, kur Gazeta Nacionale, publikoi një audio-përgjim ndërmjet shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe nënkryetarit të Listës Serbe, Slavko Simiç, ku flisnin për koordinimin e partisë së Kurtit me kriminelin Radojçiq.

Lexo edhe: 

Dalin përgjimet e Mimoza Kusarit me Slavko Simiq | Albin Kurti dhe pushteti i VV-së totalisht i kapur dhe i varur nga Lista Serbe

Albin Kurti publikisht kërkonte dorëzimin e Radojçiqit, por në prapaskenë koordinohej me të.

Kurti, në kohën kur pritej të merrte detyrën e kryeministrit, kërkonte nga Serbia që ta dorëzojnë tek autoritet kosovare kriminelin e veriut, Milan Radojicic.

Ai e kishte mirëpritur edhe vendimin e SHBA-së për ta shpallur person “non-grata”.

“Vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale”, shkruante Kurti, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sanksione kundër grupit të organizuar të Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radojçiç.
“Shumë i mirëseardhur vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për identifikimin e emrave të përveçshëm dhe sanksionet ndaj Zvonko Veselinovic dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës”, shkruante Kurti.

Sipas Kurtit, “përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë, ky grup është dëshmia më e mira se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve”.

“Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë”.

Ai ka theksuar se krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare.

“Republika e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të saj. Qeveria e Republikës së Kosovë ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Por kush është Milan Radojicic?

Për të kuptuar kush është Radojicic, ‘bosi i veriut’, lexoni këtë përmbledhje.
Milan Radojicic është i afërt i Zvonko Veselinovic, të njohur si ‘baba i urës së Ibrit’. Për Veselinovic’in është raportuar shumë, madje është thënë se ndikimi i tij politik në veri por edhe në Serbi është aq i madh, sa ai kishte vendosur për heqjen ose jo të barrikadës mbi urën e Ibrit.

Me ikjen dhe angazhimin e tij në Beograd, Zvonko i la pushtetin në veri Milan Radojicic’it, që nga disa serbë po quhet si ‘Zoti i veriut’, krejt kjo pasi në tri komunat me shumicë serbe në veri nuk mund të merret asnjë vendim pa e mbështetur bosi i dyshuar i mafisë serbe.

Për Radojicic’in u tha shumë, por vlen të sqarohet se pushteti i tij shtrihet në veri me kontrollin që ushtron ai si nënkryetar i Listës Serbe. Milan Radojicic dhe disa të afërm të tij, janë parë në fushatën e LS në Leposavic, e për të cilin takim ka raportuar Metro.

Me rritjen e ndikimit politik, Radojicic mori pushtet edhe në terren duke u bërë ‘zot’ i veriut që vështirë kontrollohet nga organet e sigurisë. Por, edhe ai kontroll i vogël, është menaxhuar nga Radojicic’i, pasi shefin e Stacionit Policor në veri, Zeljko Bojic’in, e ka mik të afërt. Kështu, pushteti i Radojicic’it shtrihet edhe mbi Policinë.

Radojicic nisi operacionet e tij që në zgjedhjet për president të Serbisë, ku grupi i tij bleu votat e romëve të Mitrovicës për Aleksandar Vucic’in. Më pas, ai merrte pjesë në çdo aktivitet të Listës Serbe.

Rrahjen e disa policëve kosovarë në veri që kishin shkuar për të sekuestruar disa materiale që po regjistronin popullsinë serbe, u mor vesh i pari nga Radojicic. Kjo pasi, siç raportoi Metro,kishte qenë vetë ai që kishte organizuar sulmin ndaj tyre, transmeton Gazeta Metro.

Raportimet për djegien e shumë veturave në veri, përfshi këtu edhe veturën e tashmë të ndjerit Oliver Ivanovic, dyshohet se e bënte vetëm një grup. Ishte ai i Milan’it, i cili me këto akte synonte të frikësonte çdokënd që nuk i përshtatej atij.

Frika që mbillte Radojicic nuk lidhej vetëm me djegie veturash. Ai dyshohet se hedhte edhe granata nëse ishte e nevojshme. Kështu të paktën thonin burime të Metros brenda Policisë së Kosovës në veri, ku e lidhnin Radojicic’in me sulmin me granata ndaj shtëpive të dy serbëve vetëm e vetëm pse ishin bërë pjesë e FSK’së.

Radojicic ishte përfshirë edhe në një sulm ndaj ish-koordinatorit serb për dialog, Borko Stefanovic, në një kafene në veri, e ku kishte marrë pjesë edhe Edita Tahiri, transmeton Gazeta Metro. Në këtë rast nuk kishin ndërhyrë Policia e Kosovës, ani pse ishin vënë në rrezik jetët e disa personave. Mos ndërhyrja e Policisë, ishte bërë pikërisht për shkak të kontrollit që ka Milan’i mbi ta.

Sidoqoftë, Radojicic’in po e kërkojnë për rastin e vrasjes së Oliver Ivanovic’it, pasi në një përgjim të disa politikanëve serbë ai përmendet si urdhërdhënës, ndërkaq shteti serb si organizator.

Për akuzat ndaj këtij të fundit kishte folur edhe presidenti serb Aleksandar Vucic, i cili ka thënë se nuk ka asnjë dëshmi që tregon se Radojiciç ka gisht në këtë ngjarje. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme