Lajme
“Përgjigjja e shkurtër është: Jo!” | Pak orë pas Marrëveshjes së Brukselit mes Kurtit dhe Vuçiqit, BE-ja mohonte se ishte arritur njohja de-facto për Kosovën nga Serbia
Demokracia
13:00 | 11 Nëntor 2023

Share:

“Përgjigjja e shkurtër është: Jo!”.

Kështu deklaronte më 28 shkurt 2023, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve nëse me marrëveshjen e një ditë më parë, e cila njihej si plani franko-gjerman, është arritur njohja de-facto për Kosovën nga Serbia.

Në këtë mënyrë, Bashkimi Evropian po zbehte entuziazmin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023], e llogariste si pjesë të suksesit të tij në dialogun dyvjeçar, shkruan Demokracia.com.

STANO:

“Përgjigja e shkurtër është jo! Qëllimi i dialogut nuk është njohja, objektivi i dialogut është normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe sa i takon përmbajtjes së normalizimit është e vendosur nga dy palët. Pra, u takon atyre, BE-ja është ndërmjetës, ne nuk e diktojmë çfarë do të bëjnë dhe si, po i ndihmojmë me maturinë evropiane dhe kompromisin evropian, por objektivi dhe mandati jonë është që të arrijnë marrëveshjen finale gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizim të raporteve”, deklaronte Stano më 28 shkurt 2023.

https://demokracia.com/pak-ore-pas-pranimit-te-zajednices-nga-kurti-lajme-te-keqija-nga-be-ja-nuk-ka-njohje-de-facto-te-kosoves-nga-serbia/

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që nga publikimi i planit franko-gjerman, që më 27 shkurt mori emrin Marrëveshja Bazë, e prezantonte atë si njohje de-facto të Kosovës nga Serbia.

“Republika e Kosovës nuk e njeh Republikën e Serbisë, ne sot kemi mos-njohje reciproke. Ajo çfarë na duhet është njohja reciproke. Marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë. Marrëveshja sipas modelit të dy Gjermanive e bën ndarjen e njohës reciproke në ‘de facto’ dhe ‘de juro’. Prandaj, nëse mund të thonim diçka për propozimin e ofruar, aty paragrafët që merren nga modelet e dy Gjermanive janë paragrafë që pikërisht i referohen asaj njohjes ‘de facto’”, deklaronte Kurti më 9 shkurt 2023, para se të jepte dakordimin e tij në Bruksel.

Edhe disa ditë më vonë, më 18 mars 2023, kur Kurti dhe Vuçiq u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë, kryeministri i Kosovës vazhdoi të këmbëngulte se kjo marrëveshje është njohje de-facto.

“Ne erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshjen bazë me aneksin e zbatimit. Kemi arritur pajtim publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e Marrëveshjes Bazë. Pala tjetër njësoj si në takimin e fundit në Bruksel, më 27 shkurt, po i ikën nënshkrimit të Marrëveshjes, tash edhe me Aneks. I takon BE-së që ta gjejë mekanizmin, që ta bëjë statusin e kësaj marrëveshje ligjërisht, ndërkombëtarisht të obligueshme. Sa për Aneksin e zbatimit, ai do të publikohet në faqen e BE dhe aty do ta lexoni e kuptoni edhe çka ka, edhe çfarë s’ka. Marrëveshja Bazë është njohje e ndërsjellë de-facto. Natyrisht që ka dhe gjëra të tjera. Ajo çfarë ka ndodhur është njohja de-facto më 27 shkurt dhe tash me Aneksin e zbatimit”, deklaronte Kurti.

Demokracia.com ka publikuar gjatë ditës një listë të disa prej deklaratave të kryeministrit Kurti, ku ai këmbëngulte se rezultati final i dialogut me Serbinë duhet të jetë ‘njohja reciproke në qendër’, por që tani po mjaftohet vetëm me ‘njohje de-facto’, anipse njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare e kanë këshilluar publikisht se në Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) dhe Aneksin e zbatimit të saj (Ohër, 18 mars 2023) nuk ka njohje të tillë.

https://demokracia.com/deshtimi-i-kurtit-ne-dialog-si-u-terhoq-nga-njohja-ndershteterore-dhe-si-po-mashtron-me-njohjen-de-facto

Më i zëshëmi është ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani. Sipas tij, me Marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit hiqet dorë nga çdo njohje, rihapet statusi i Kosovës kundrejt Serbisë dhe u njihet autonomia substanciale serbëve në Kosovë. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/enver-hasani-per-marreveshjen-e-kurtit-ne-bruksel-e-oher-heq-dore-nga-cdo-njohje-rihapet-statusi-i-kosoves-kundrejt-serbise-dhe-u-njeh-autonomi-substanciale-serbeve/

Të ngjashme