Lajme
AKK-ja me përgjigje “shabllon” për Martin Berishajn, ende në fazën e verifikimit
Demokracia
11:52 | 04 Maj 2022

Share:

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet se u përfshi në një skandal financiar rajonal, nuk i kishte deklaruar bizneset e tij në formularin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Rreth 600 mijë euro dyshohet se ambasadori Martin Berishaj i kishte bartur në CASH nga Mali i Zi në Slloveni. Një pjesë të këtyre mjeteve, atij i ishin transferuar nga kompania GEN-I, dega në Beograd, në kompaninë e tij “M Consulting” në Mal të Zi në emër të shërbimeve këshillimore.

Krejt çfarë kishte deklaruar Berishaj në Agjencinë Kundër Korrupsionit ishte një shtëpi, dy banesa, një sipërfaqe tokë dhe dy vetura, shkruan Demokracia.com.

Kanë kaluar disa javë që kur është publikuar skandali i ambasadorit Berishaj dhe ende autoritetet kosovare nuk kanë ndërmarrë asnjë hetim në lidhje me këtë.

E pyetur nga Demokracia.com, Agjencia Kundër Korrupsionit e ka kthyer një përgjigje “shabllon” lidhur me interesimin nëse kanë filluar me hetimin e pasurisë së ambasadorit Berishaj.

AKK-ja ka bërë të ditur se janë në fazën e verifikimit dhe duke u bazuar në dëshmitë, do të veprojnë konform legjislacionit dhe brenda afateve ligjore.

“Agjencia Kundër Korrupsionit aktualisht është në fazën e verifikimit, hetimit dhe mbledhjes se informatave për të gjithë zyrtarët e lartë që nuk e kanë deklaruar pasurinë brenda afateve ligjore, ose e kanë deklaruar me vonesë. Bazuar në dëshmitë dhe informatat e siguruara, brenda afateve ligjore, AKK do të ndërmarr veprime konform legjislacionit në fuqi, duke përfshirë edhe dorëzimin e kallëzimeve penale për rastet që do të plotësohen kushtet ligjore”, thuhet në përgjigjen e AKK-së dhënë për Demokracia.com.

Ishte mediumi slloven “Planet TV”, i cili raportoi për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, ku u përfshi edhe ambasadori Martin Berishaj.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega në Beograd e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi. Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë mijëra euro, të cilat janë tërhequr si para të gatshme.

 

Ambasadori Martin Berishaj, duke iu shmangur faktit që ka pranuar para nga GEN-I, dega në Beograd, i ka quajtur shpifje akuzat se ai është i përfshirë në një skandal financiar të zbuluar në Slloveni se ai ka bartur para rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi te politikani slloven Robert Golob.

Demokracia.com kishte raportuar se Berishaj ishte i lidhur me energjinë më shumë se që dihej deri më tani, pasi që edhe gjatë punës së tij si ambasador në Kroaci, ai kishte takime të shumta me kompani energjetike. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE| Berishaj “sekser” special për energji, Gërvallës i raportoi për disa takime (Dokument)

Të ngjashme