Lajme
Përgatitja për seancën konstituive, përfaqësuesit e partitive mblidhen në takim me Konjufcën
Demokracia
12:27 | 08 Prill 2025

Share:

Përfaqësues të partive politike janë mbledhur për takimin e sotëm me kryetarin e Kuvendit në detyrë, Glauk Konjufca.

Ky takim ka për qëllim përgatitjet për seancën konstituive të legjislaturës së re, që do të mbahet më 15 prill, sipas vendimit të presidentes Vjosa Osmani.

Në këtë takim, nga partitë shqiptare kanë ardhur kryesisht nënkryetarët e partive.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) rezultatin më të mirë me 42.30% të votave dhe 48 deputetë, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) fitoi 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguroi 20 deputetë dhe koalicioni AAK-Nisma 8 deputetë.

Me këto rezultate, asnjë parti nuk mund të formojë qeverinë e vetme, dhe diskutimet për koalicione janë të paevitueshme.

Në përpjekje për të gjetur rrugë të mundshme për formimin e qeverisë, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka ftuar për një takim konsultativ kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, përpara mbajtjes së seancës konstituive.

LDK ka njoftuar se Abdixhiku do të shqyrtojë ftesën dhe do t’i përgjigjet Kurtit pas mbledhjes me nënkryetarë që pritet të mbahet pasditen e së martës.

Të ngjashme