Lajme
Përfundon takimi i liderëve politikë me presidenten Osmani
Demokracia
14:52 | 15 Maj 2025

Share:

Ka përfunduar takimi i presidentes Vjosa Osmani me liderët e subjekteve politike në vend.

Në takim i cili nisi pak pas orës 13:00 në zyrën e presidentes – morën pjesë Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Takimi në mes Osmani dhe liderëve të partive politike vie pas tre muajve që vendi ynë doli nga zgjedhjet nacionale dhe një muaj nga seanca e parë ku nisi përpjekja për të konstituar kuvendin.

Takimi vjen në ditën kur deputetët nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin as në tentimin e gjashtëmbëdhjetë – pikërisht një muaj pasi filluan përpjekjet – për shkak të ndarjeve politike. Konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm për të hapur rrugë për formimin e Qeverisë së re.

Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.

Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.

Për krijimin e institucioneve të reja nevojitet arritja e ndonjë marrëveshjeje politike, duke parë se asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme.

Vetëvendosje i ftoi 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, koalicioni AKK-NISMA 8, Lista Serbe 9, Partia për Drejtësi dhe Mbijetesë 1 dhe pakicat joserbe 10.

Osmani paralajmëroi të martën se mund të ketë një sërë takimesh mes saj dhe partive politike, varësisht se si shkojnë bisedimet të enjten.

Ajo tha se moskonstituimi i Kuvendit e rrezikon “pikërisht funksionimin kushtetues të institucioneve që është edhe arsyeja pse i kam ftuar liderët që të diskutojmë rrugën përpara”.

“Si institucion i Presidencës jemi në zbatim të detyrave kushtetuese, sepse, siç e dini, neni 84 përcakton që presidentja e vendit ka për detyrë të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve”, tha ajo./Lajmi.net/

Të ngjashme