Lajme
Përfundon për sot protesta në Zubin Potok, protestuesit merren vesh mes vete ta vazhdojnë nesër me mëngjes
Demokracia
16:40 | 29 Maj 2023

Share:

Protestuesit serbë në Zubin Potok janë shpërndarë, pasi janë pajtuar që protestën ta vazhdojnë mëngjesin e së martës, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë që po përcjellin nga afër zhvillimet në veri të Kosovës.

Në Zveçan, nënkryetari i Listës Serbe, Goran Simiq, ka deklaruar se protestuesit nuk do të largohen derisa nuk do të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, në Leposaviq disa dhjetëra qytetarë po vazhdojnë të protestojnë para ndërtesës komunale, ku ka forca të Policisë së Kosovës.

Mëngjesin e 29 majit, serbët në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, nisën protestat për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të këtyre komunave.

Ata kanë synuar që të parandalojnë kryetarët e rinj të hyjnë në ndërtesat komunale.

Në veri, përveç Policisë së Kosovës, të hënën misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka shtuar praninë.

Më 26 maj, policia u përlesh me protestuesit të cilët kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale. Si pasojë e përleshjeve, pesë policë u lënduan dhe disa makina policore u dogjën.

Bashkësia ndërkombëtare ka reaguar ashpër duke e paralajmëruar Prishtinën që të mos ndërmarrë hapa të tjerë për “hyrje me forcë në ndërtesat komunale”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por ai ka thënë se çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën më 23 prill, në procesin zgjedhor që u bojkotua nga Lista Serbe.

Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe. Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Të ngjashme