Ka përfunduar mbledhja e Komisionit të Pavarur të Mediave, e cila nuk ishte paralajmëruar më parë.
Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti ka deklaruar para gazetarëve se mbledhja ka qenë konsultative dhe është biseduar për agjendën e nesërme.
“Kemi mbajtur një mbledhje konsultative në të cilën kemi biseduar për agjendën e nesërme dhe i kemi sqaruar pikat dhe mbledhja do të mbahet nesër, do të jetë e hapur për publikun dhe të gjithë janë të mirëseardhur.” – ka thënë Mehmeti.
Ai gjithashtu ka deklaruar se nesër në mbledhje do të diskutohet për vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.
“Klan Kosova është një prej temave që do të diskutohet nesër dhe për këtë e kemi bërë njoftimin por kemi edhe shumë pika të tjera të rendit të ditës pasi komisioni s’ka qenë funksional për 7 muaj.” – ka thënë Mehmeti, raporton Paparaci.
Në pyetjen se çfarë pritet të ndodh nesër lidhur me Klan Kosovën, ai ka thënë se të gjithë anëtarët e kanë të drejtën e mendimit të tyre dhe vendimi merret si pasojë e kësaj.
“Çdo vendim që e merr komisioni fillimisht i prin një diskutim në të cilën çdo anëtar ka të drejtë shprehjen e mendimit të tij dhe në fund mund të merret një vendim ose jo.” – ka thënë ai.