Pas katër seancave ka përfunduar dëshminë personi i parë në gjykimin ndaj Salih Mustafës para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia e ka falënderuar dëshmitarin 03593 për dëshminë e dhënë në Gjykatën Speciale, raporton Demokracia.com.
“Po bëhen katër ditë që je këtu me ne, ma merr mendja se ka qenë e lodhshme dhe e vështirë për ty dhe të falënderoj që ke qenë këtu këto ditë me ne. Na ke ndihmuar shumë në përpjekjen tonë për të zbuluar të vërtetën. Të uroj udhëtim të mbarë dhe të kujtoj edhe një herë që të mos flasësh me askënd për deklaratën që e ke dhënë para Gjykatës Speciale të Kosovës”, tha ajo.
Ndërkohë, sot në orën 14:30 nis seanca e radhës në këtë rast, ku pritet të flas dëshmitari i dytë në rastin e të akuzuarit, ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa i njohur si Cali./Demokracia.com/