Kur Serbia drejtohej nga Slobodan Milosevic, Perëndimi me në krye SHBA-në mbështeti fuqimisht ndryshimet demokratike në vend. Tani që Serbia po rrëshqet drejt autokracisë nën sundimin e presidentit Aleksandar Vuçiç, ky angazhim duket se është zhdukur.
Javën e kaluar në rrugët e Beogradit pati protesta. Mijëra qytetarë protestuan kundër zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të manipuluara, sidomos në kryeqytet. Më pas, kryeministrja në largim, Ana Brnabiç falënderoi shërbimet sekrete ruse për njoftimin në kohë të qeverisë serbe për demonstratat e planifikuara, të cilat sipas saj janë të orkestruara nga “disa shërbime sekrete perëndimore”.
Duke informuar ambasadorin rus në Serbi për trazirat në kryeqytet, Vuçiç dhe i dërguari i Moskës, theksuan po ashtu se protestat janë të organizuara nga Perëndimi. Ndërkohë ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, e dënoi “dhunën dhe vandalizmin kundër institucioneve shtetëror, që nuk ka vend në një shoqëri demokratike”.
Pra duket se janë në të njëjtën linjë pikëpamjet e të ambasadorëve të Rusisë dhe të SHBA-së. Ata janë më të shqetësuar për stabilitetin e qeverisë serbe sesa për manipulimet elektorale. Por edhe duke pasur parasysh botën e sotme komplekse, një mbështetje e tillë e Perëndimit për udhëheqësin serb, që për më tepër e akuzon atë për nxitjen e trazirave në vendin e tij, është shumë befasuese.
Zgjedhjet e 17 dhjetorit u manipuluan në masë, dhe shkeljet u denoncuan nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Veçanërisht në Beograd pati prova të importimit të organizuar dhe në shkallë të gjerë të votuesve, duke sjellë votues nga rajone të tjera në Serbi por edhe nga jashtë saj.
Kjo do të thotë se presidenti Vuçiç dhe partia e tij, shpallën një fitore që në fakt nuk e arritën. Është “Serbia Kundër Dhunës”, një koalicion opozitar ku partia ime është anëtarja kryesore, ajo që fitoi zgjedhjet lokale në këtë qytet, dhe ne kemi bërë thirrje për përsëritjen e procesit.
Të mbështetur nga shumë të rinj, të cilët nuk mund të jetojnë më në një vend ku dhuna është e zakonshme dhe ku institucionet nuk kanë rëndësi, ne i ftuam qytetarët të protestojnë në mënyrë paqësore deri në plotësimin e kërkesave tona, ndërsa Marinika Tepić dhe disa deputetë të tjerë ishin futur në një grevë urie.
Më 24 dhjetor, u zhvillua një nga protestat më të mëdha. Këshilltarët tanë të zgjedhur, kërkuan të lejoheshin të hynin në zyrat e tyre në këshillin bashkiak të qytetit, gjë që u refuzua nga policia. Kjo u pasua nga përleshjet fizike, dhe duke u mbështetur tek ushtrimi i tepruar i forcës, policia arrestoi 38 protestues.
Përballë gjithë kësaj situate, reagimet zyrtare nga Bashkimi Evropian dhe SHBA, janë në rastin më të mirë shumë të buta. Në fillim, raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilčik, as që i vuri re “parregullsitë e mëdha” të këtyre zgjedhjeve. Dhe akoma më e habitshme: nuk pati asnjë reagim për fyerjet e rënda ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendas të zgjedhjeve, të cilët folën publikisht për gjetjet e tyre.
Fatkeqësisht, ne e kemi pritur një sjellje të tillë nga partnerët tanë perëndimorë. Me luftërat dhe dhunën në rajonin fqinj me Evropën dhe Lindjen e Mesme, ata nuk duket se kanë nge t’i kushtojnë vëmendje dhe energji Serbisë, ndaj vazhdojnë një marrëdhënie haptazi transaksionale me Vuçiç.
Dhe ky transaksion kuptohet fare lehtë. Në Serbi, Vuçiç luan me audiencën e tij populiste, duke e kritikuar Perëndimin për shpërfilljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, ndërkohë që mbështet atë të Ukrainës.
Ai ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë, ka arrestuar ose i penguar të qëndrojnë në Serbi qytetarët rusë që janë kundër luftës kundër Ukrainës, dhe i ka krahasuar me përçmim protestat e Beogradit me ato të Maidanit në Kiev në vitet 2013-2014.
Në të njëjtën kohë, ai po nxit ndjenjat luftarake ndaj Kosovës, duke pretenduar se kushdo që nuk bie dakord me të është tradhtar. Po ashtu, për më shumë se një dekadë ai ka kontrolluar pjesën më të madhe të hapësirës mediatike në Serbi. Megjithatë, jashtë vendit, Vuçiç thotë atë që dëshiron të dëgjojë Perëndimi.
Këtë javë, qeveria e tij nisi zbatimin e një vendimi për njohjen e targave të automjeteve të lëshuara nga Kosova. Vendi ka rritur prodhimin e municioneve që dërgohen në Ukrainë. Po ashtu Vuçiç ka kërkuar riaktivizimin e minierave të litiumit, nga të cilat BE-ja mund të përfitojë ndjeshëm, pasi kjo do të lejonte ri-furnizimin me një burimi jetik, në një periudhë të tensioneve dhe konkurrencës gjeopolitike në rritje.
Ky lloj pakti është i shkëlqyer për të gjithë, veçse jo për qytetarët serbë. Sepse ne jemi dëshmitarë të një përkeqësimi të vazhdueshëm dhe të pandërprerë të të drejtave politike dhe lirive civile. Kjo është arsyeja, pse disa vite më parë vendi kaloi nga klasifikimi “i lirë” në “pjesërisht i lirë” nga organizata Freedom House.
Ndërkohë jashtë vendit, Serbia shihet si një aleate problematike, pasi ka mbajtur anën e Rusisë dhe nuk ka mirëkuptim apo ndjeshmëri për tmerret që po përjeton Ukraina. Por ajo që duhet të kuptojnë bashkëbiseduesit perëndimorë të Vuçiç, është se nëse ata vazhdojnë të mbyllin njërin sy – siç po bën ambasadori amerikan Hill, që thotë se “po pret me padurim” vazhdimin e bashkëpunimit me qeverinë serbe – do të mbeten të rrënuara institucionet dhe reputacioni i vendit.
Dhe drejtimi i tij do të ndryshonte lehtësisht sipas dëshirës së udhëheqësit. Majin e vitit të kaluar, kur 2 masakra të mëdha me armë në një shkollë të Beogradit shkaktuan protesta masive, ne i dërguam një letër zyrtarëve të BE-së dhe SHBA-së, duke paralajmëruar se Vuçiç ka të ngjarë të përpiqet ta zgjidhë krizën, duke thirrur zgjedhjet e reja të parakohshme pa ekzistencën e një infrastrukture ligjore dhe elektorale të pranueshme.
Po ashtu, ne kërkuam ndihmën e tyre për të siguruar zbatimin e plotë të rekomandimeve të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut të publikuara pas zgjedhjeve të prillit 2022. Megjithatë, ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje përfundimtare.
Ata ishin shumë të lumtur të lavdëronin hapat e gabuar që kishte hedhur qeveria serbe, për të krijuar përshtypjen e pajtueshmërisë me të. Prandaj, në rast se qeveritë demokratike perëndimore e kanë shumë të vështirë të mbrojnë vlerat që përqafojnë, të bëjnë thirrje për përsëritjen e zgjedhjeve dhe të këmbëngulin që ato të zhvillohen në kushte që i bëjnë ato të lira dhe të ndershme, atëherë ndoshta do të ishte më mirë sikur të mos flasin fare.
Shkruan: Dragan Đilas
Burimi: Politico.eu/ Përshtati: Gazeta Si
Shënim: Dragan Đilas është kryetar i Partisë për Liri dhe Drejtësi dhe anëtar i koalicionit opozitar “Serbia Kundër Dhunës”. Ai ka qenë kryetar i Bashkisë së Beogradit në vitet 2008-2013.