Këto ditë po bëhen dy vjet që prej se Bota u mbërthye nga Pandemia e Virusit Covid-19.
Kërcënimi më i madh atëherë, fare në fillim të Pandemisë, që mbylli thuaja mbarë Rruzullin Tokësor, ishte i lidhur me të panjohurat që vinin së bashku me këtë virus.
Njeriu i sotëm, shtetet e sotme, shoqëritë e sotme, nuk i durojnë fare të panjohurat a befasitë e rrezikshme. Të vetmet befasi që i pëlqejnë, janë ato për zbritje të çmimeve, për rritje të rrogave, për destinacionet e reja turistike, për ilaçet që zgjasin jetën, për serialet e reja televizive.
Para dy viteve pra, lajmet që ateruan tek njerëzimi, së bashku me Covid-19, ishin, pak a shumë këto: Nuk dihej se cila është origjina e këtij virusi; dihej se cilës familje i takonte; dihej se si dhe pse u shpërnda në gjithë Botën; nuk dihej se çfarë pasojash për të gjithë ne do të kishte dhe sa do të zgjaste Pandemia; dhe më në fund, dihej që mënyra e vetme për ta ndalur dhe kontrolluar ate, është vaksina.
Tash, natyrisht, ka dijeni thuaja të plotë për këtë virus. Prandaj, Bota ndihet më e sigurtë, të gjithë ne jemi më të qetë, teksa kostoja shëndetësore dhe financiare e këtij virusi, ka qenë dhe mbetet tronditëse. Për vite të tëra, ende do të merremi me pasojat e këtij virusi.
Tash e gati dy javë, Bota është detyruar të preokupohet me një tjetër sprovë, e cila, si edhe Pandemia dy vite më parë, ka të njohurat dhe të panjohurat e veta, të cilat kësaj radhe, janë më të rrezikshme se ato që vinin nga një virus që nuk shihet me sy.
Lajmet që zbarkuan në Evropë dhe më gjërë, së bashku me invadimin e Ukrainës nga Forcat ushtarake të Rusisë, me urdhërin e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, mund të tubohen, në një vend, në këtë mënyrë: Dihet se cila kush është ‘shtytësi i parë’ (njerëzor), i kësaj tragjedie; nuk dihet se sa do të zgjatë lufta në Ukrainë; nuk dihet se si do të përfundojë ajo; dihet që Rendi Ndërkombëtar që ka ekzistuar deri me 24 shkurt, është rrënuar me themel; nuk dihet se çfarë Rendi Ndërkombëtarë do të ndërtohet më pas; nuk dihet se a do të ketë paqe të mirëfilltë në fund të kësaj lufte, apo, do të përdoren edhe Armët bërthamore.
Rendi Ndërkombëtar, realisht, i përngjet vaksinës politike dhe të sigurisë: Ai krijohet, pikërisht për të parandaluar apo pamundësuar përmbysjet e këtij lloji, me një origjinë të qartë të Federatës së Rusisë.
Kush nuk ka paramenduar dot, atje në vitet e tetëdhjeta, që ‘Lufta e Ftohtë’, do të merr fund pa një plumb të shkrepur, e lëre më pa ato tabllot apokaliptike të kërpudhave atomike, dhe që një Rend Ndërkombëtar i cili kishte në themelet e veta një paqe, pas Luftës së Dytë Botërore, do të zëvendësohej me aq rend dhe rregull, me një tjetër Rend të ri Botëror.
Kush nuk ka mundur të imagjinoj, vetëm pak muaj më parë, që Rendi i deritashëm Botëror do të shembej brenda 24 orëve (dhe hiç më shumë), për shkak të një invazioni krejtësisht të paarsyeshëm të Rusisë në Ukrainë.
Pasojat e kësaj lufte, në të gjitha aspektet e mundshme, të sigurisë, ekonomike, politike, financiare, sociale, po përhapen në të katër anët e Botës, më shpejtë (madje), se sa virusi para dy viteve. Dhe teksa sot e kësaj dite ka shumë njerëz që nuk janë infektuar asnjëherë prej Covid-19, gjithnjë e më shumë po kuptohet që nuk ka gjasa që të mbetet kush në këtë Botë, i cili nuk do të efektohet në njërën apo tjetrën mënyrë, qoftë edhe me shtrenjtimin marramendës të artikujve bazik ushqimor. Natyrisht, Lufta bërthamore do të kërcënonte me zhdukjen e krejt njerëzimit.
Në përgjithësi, të panjohurat e kësaj lufte, janë më të mëdha se sa ato të Pandemisë.
Madje, teksa, siç u tha tashmë, shkenca mjekësore prej fillimit të Pandemisë ka besuar në një Happy End të saj, dhe ka punuar për arritjen e këtij epilogu të synuar (duke nxjerrë mësimet e duhura për të ardhmen), tani, politika në Perëndim, nuk ka farë besimi të madh që do të mund të ketë fare Happy End, së paku jo në një të ardhme të afërt, dhe që raportet në mes të Perëndimit dhe Rusisë, do të munden për vite të tëra, në mos edhe decenie, të kthehen në një nivel të normalitetit të durueshëm.
Thuhet që viktima e parë në çdo luftë është e vërteta. Kësaj radhe, duket se është besimi në mes të Perëndimit dhe Rusisë, i cili ka ra në vlerën zero.
Edhe pse që prej ditës së parë të invazionit të Rusisë në Ukrainë, janë tërhequr paralele me deceniet sa ka zgjatur ‘Lufta e Ftohtë’, realisht, asnjëherë gjatë asaj Lufte, nuk ka pasur shkallë zero të besimit të ndërsjellë. Për më shumë, edhe në kohën kur në te dy anët ka pasur liderë që kanë shfaqur pamaturinë e tyre karshi njerit tjetrit dhe Kampeve të mëdha të grumbulluara rreth Washingtonit dhe Moskës, nuk ka pasur lider që ka shkelur mbi atë ‘Kufirin etik’, i cili ka pasur domethënien e urdhërit për të nisur kokat bërthamore kah Lindja dhe kah Perëndimi. Nuk ka pasur lider në Perëndim dhe në Bashkimin Sovjetik që ka mundur të bëj diçka të tillë. Gjërat kanë ndryshuar, me themel, edhe në këtë aspekt.
Teksa në kryeqendrat e Perëndimit flitet me të madhe për një tjetër ‘Luftë të Ftohtë’, pakkush merr guximin të thotë se sa në të vërtetë do të jetë e ‘ftohtë’ kjo përplasja e re, e paparë për dekada të tëra, në mes të Perëndimit dhe Rusisë.
Por, pakkush mund t’i ikë konkludimit që Evropa dhe Perëndimi në përgjithësi, në këto marrëdhëniet me Rusinë kanë hyrë në një Stinë politike të dimrit, që mund të zgjasë shumë.
Dhe zgjatja e këtij dimri, në masë të madhe do të varet nga koha dhe mënyra e rezistencës së Ukrainës ndaj Rusisë në ditët dhe javët e ardhshme.