OpEd
Përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë në Ukrainë nga Rusia| SHBA duhet të vendosë një “vijë të kuqe”
Demokracia
10:42 | 21 Mars 2022

Share:

Nga Michael Waltz “Fox News”

Rusia ka pësuar humbje të konsiderueshme në javët e para të pushtimit të Ukrainës, dhe ekonomia e saj po izolohet gjithnjë e më shumë, si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare gjithëpërfshirëse.

Ndërsa ne duhet të ndihemi të inkurajuar nga rezistenca e jashtëzakonshme e ukrainasve për të mbrojtur atdheun e tyre, duhet të jemi të përgatitur edhe për dëshpërimin në rritje të Vladimir Putinit. Kësisoj, duhet të jemi të përgatitur për të kontrolluar impulset e tij më të rrezikshme.

Presidenti Xho Bajden duhet të tërheqë që tani një “vijë të kuqe” të qartë, duke ua bërëtë ditur zyrtarëve të Kremlinit, se Shtetet e Bashkuara nuk do të toleronin përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, dhe të shpjegojë në detaje “pasojat shkatërruese” që ai i premtoi së fundmi.

Ne nuk mund të bëjmë të njëjtat gabime si administrata Obama-Bajden, që lejoi dikur ndodhjen e sulmeve të tilla çnjerëzore. Në vitin 2012, presidenti Obama shpalli një“vijë të kuqe” ndaj regjimit të Asad, që ishte përdorimi i armëve kimike në Siri.

Pavarësisht këtij paralajmërimi, regjimi i Asadit vazhdoi përdorimin e armëve kimike. Departamenti i Shtetit, vlerëson se regjimi i Asadit i ka përdorur mbi 50 herë armët e tij kimike që nga fillimi i konfliktit sirian. Sidomos duke përdorur agjentë nervorë në Damask, që vranë mbi 1500 njerëz në një sulm të vetëm, shumë prej tyre fëmijë.

Refuzimi i administratës Obama-Bajden për të reaguar ndaj sulmeve të tilla barbare, do ta njollosë përgjithmonë besueshmërinë tonë. Dhe shumë nga zyrtarët që këshilluan Obamën, mbajnë tani postet më të larta në administratën Bajden, përfshirë Entoni Blinken, Xhek Sallivan dhe Suzan Rajs.

Nëse ata duan që të lajnë mëkatet e dikurshme në Siri, koha është tani. Gjithashtu, ata mund të mësojnë disa leksione nga administrata Trump. Në vitin 2018, presidenti Trump urdhëroi sulme ajrore kundër objektivave të regjimit të Asadit, pasi ky i fundit shkeli “vijën e kuqe” të Trump për përdorimin e armëve kimike.

Ai e dha urdhrin për sulmin pak para se të darkonte me udhëheqësin kinez Xi Jinping, i cili mori gjithashtu mesazhin se administrata Trump nuk do të mbështeste përdorimin e armëve kimike ndaj civilëve. Për më tepër, administrata Bajden duhet të kujtojë se si reagoi Rusia ndaj vrasjes së mbi 200 mercenarëve rusë nga ana e SHBA-së, pasi ata guxuan të sulmonin një bazë ushtarake amerikane në Siri.

U rivendos qasja frenuese, dhe administrata Trump dërgoi një mesazh të qartë anembanë globit, se nuk do të toleronte sulmet kundër trupave tona apo përdorimin e armëve kimike.Putin e pa shumë qartë se si përgjigjen SHBA-të ndaj një ngjarje të tillë.

Presidenti Bajden duhet të deklarojë personalisht dhe në mënyrë të qartë, se në rast se Rusia përdor në Ukrainë armët e shkatërrimit në masë, të gjitha opsionet do të jenë mbi tavolinë, përfshirë edhe ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së. Dhe ai duhet ta bëjë Putinin të besojë se do ta mbajë fjalën e tij.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht dërgimin e mijëra ushtarëve amerikane në terren, pasi ekziston një menu opsionesh reagimi, që përfshijnë sulmet kibernetike, ato ajrore apo edhe ato që e dëmtojnë shumë aftësinë e Rusisë për të përdorur armë të shkatërrimit në masë, përcjell CNA.

Po ashtu, administrata duhet të mos bëjë më premtime të paqarta për “pasoja të rënda”. Ajo duhet që ta bëjë të qartë, se SHBA-ja do të ndërhyjë nëse përdoren armët e shkatërrimit në masë, dhe se çdo gjeneral rus i përfshirë do të akuzohet për krime lufte.

Ne duhet të fillojmë që të mbjellim dyshime në zinxhirin komandues të Putinit, dhe ta pengojmë atë të ecë më tej, në vend se të përballemi me agresionin rus pas faktit të kryer.Një nga rregullat e para të luftës, është ta detyroni kundërshtarin të reagojë ndaj jush.

Së fundmi, administrata Bajden duhet t’ia bëjë të qartë Putinit, se do të trajtohet si një armik i komunitetit ndërkombëtar, dhe se nuk do të njihet më pushteti i tij. Kjo duhet të përfshijë gjykimin e tij si kriminel lufte në gjykatat ndërkombëtare, përpjekjen për ta dëbuar Rusinë nga Kombet e Bashkuara, dhe zbatimin e një bojkoti ekonomik global detyrues për të gjithë ndaj Rusisë.

SHBA-ja ka ende mundësi për të ndërmarrë disa veprime të tjera në një periudhë afatshkurtër, si ndërprerja e negociatave bërthamore të udhëhequra nga Rusia me Iranin, lejimi i transferimit në Ukrainë të avionëve ushtarakë dhe të armëve tokë-ajër, dhe shtimi i presionit ndaj Indisë dhe Kinës, për të shkëputur lidhjet ekonomike me Rusinë.

Duke lejuar që frika e përshkallëzimit të jetë shtytësja kryesore e politikës sonë në Ukrainë, ne po i japim në mënyrë të rrezikshme Putinit hapësirë ​që​ të hedhë hapa të mëtejshëm drejt përshkallëzimit të situatës. Nëse nuk ndeshet në reagimin tonë të hekurt, ai do të vazhdojë të ecë më tej në marrëzinë tij.

Në rast se ne dështojmë ta frenojmë Putinin nga hedhja e hapit tjetër, jo vetëm që populli i Ukrainës do të vazhdojë të vuajë mizori më të mëdha, por kam frikë se Kina, Koreja e Veriut dhe Irani, do të jenë vendet e tjera, që do të zgjerojnë kufijtë e tyre në kurriz të fqinjëve të tyre sovranë.

Shënim:Michael Waltz, kongresmen republikan i Floridës. Është anëtar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura, një veteran i Beretave të Gjelbër në luftës kundër terrorizmit në Afganistan, dhe ish-këshilltar i politikave anti-terror në Shtëpinë e Bardhë.

Të ngjashme
OpEd • 27 Mars 2024