Lajme
Përçarje në Degën e LDK-së në Vushtrri, pas përjashtimit të tre asamblistëve
Demokracia
20:50 | 16 Janar 2022

Share:

Përjashtimi i tre asamblistëve të Kuvendit Komunal nga Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri, duket se ka sjellë përçarje të mëdha brenda kësaj dege.

Gjysma e Kryesisë së Degës së LDK-së në Vushtrri kanë dalë kundër vendimit të U.D. kryetarit Xhafer Tahiri.

Demokracia.com ka mësuar se nesër do të mblidhet Kryesia Qendrore e LDK-së në Prishtinë dhe në këtë takim do të marrin pjesë edhe nënkryetarja e Degës së LDK-së në Vushtrri, Rrezarta Krasniqi dhe Sekretar i Përgjithshëm, Imri Ahmeti.

Sipas burimeve të Demokracia.com brenda LDK-së në Vushtrri, në këtë takim pritet të vendoset nëse do të përkrahet ky vendim i Xhafer Tahirit.

Po ashtu, Demokracia.com ka mësuar se nuk ka pasur kuorum për mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme dhe qëllimisht nuk janë ftuar gjysma e kryesisë së degës.

Për këtë vendim kanë reaguar edhe shumica e anëtarëve të Kryesisë së Degës së LDK-së në Vushtrri, të cilët e kundërshtojnë vendimin, siç e kanë quajtur ata të pabazë dhe antistatutar që ka marrë Tahiri në mbrëmjen e 14 janarit 2022.

“Në atë takim së pari nuk ka pasur kuorum për mbajtjen e mbledhjes, pastaj për atë mbledhje nuk janë thirrur me qëllim dhe me prapavijë as gjysma e kryesisë së degës. Andaj, njoftojmë simpatizantët dhe elektoratin e LDK-së në Vushtrri se vendimi i marrë nga z. Tahiri për përjashtimin e 3 asamblistëve tanë është i pa bazë dhe i pa qëndrueshëm”, thuhet në reagimin e tyre, përcjell Demokracia.com.

Në mbledhjen e Kryesisë nuk kishin qenë shumica e anëtarëve në krye me nënkryetaren Rrezarta Krasniqi.

Sekretari i LDK-së në Vushtrri, Avdi Avdiu, anëtarët Agron Perçuku, Shkëlzen Feka, Fevzi Perquku, Ekrem Merovci, Agim Krasniqi, Agim Bregaj, Berat Ademi, Bahrie Spanca, Bedri Imeri, Ismet Gashi dhe Adnan Lahu nuk kishin marrë pjesë në mbledhje.

Ndërsa, prezentë në takim kanë qenë, U.D. kryetari i degës Xhafer Tahiri dhe anëtarët Afrim Namani, Berat Sadiku, Lutfi Gerguri, Betim Grabanica, Bujar Pllana, Fadil Bahtiri, Amir Haradinaj, Merita Januzi dhe Ajet Avdullahu, i cili mori pjesë në mbledhje për herë të parë.

Kurse, Shkëlzen Xhaferi – zëdhënës i degës, nuk është anëtar i kryesisë dhe nuk ka të drejtë vote.

Ndryshe, në mbledhjen e jashtëzakonshme që u mbajt të premten, Dega e LDK-së në Vushtrri ka përjashtuar tre asamblistë të Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, konkretisht Agron Perçukun, Alban Bajramin e Behar Durakun, me arsyetimin se kanë bashkëpunuar me qeverisjen e re të PDK-së në këtë komunë. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

Përjashtohen tre anëtarë të LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri akuzohet për uzurpim të partisë

Të ngjashme