Lajme
Përçarja më nuk fshihet | Kurti nuk e duron “noteren” Osmani, e zhvlerëson rolin e saj dhe nuk i shkon në takim për datën e zgjedhjeve
Demokracia
22:04 | 30 Korrik 2024

Share:

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk po e fsheh më padurueshmërinë ndaj presidentes Vjosa Osmani.

Kurti dikur një prej partnerëv më të besueshëm të Osmanit, tash nuk po i shkon asaj as në takime shumë të rëndësishme, siç është konsultimi për caktimin e datës së zgjedhjeve, shkruan Demokracia.com.

Kurti ka refuzuar personalisht të marrë pjesë në takimin të cilin e ka thirrur Osmani, por raportohet se ka vendosur që ta delegojë në takim Glauk Konjufcën, ndonëse ftesa ka qenë vetëm për kryetarët e subjekteve politike dhe jo për nënkryetarët.

Pozitivisht ftesës së Osmanit i është përgjigjur edhe PDK-ja. Nëpërmjet Sekretares së Përgjithshme, Vlora Çitakut, në një konferencë për medie të mbajtur të shtunën më 27 korrik, ajo theksoi se ftesa nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.

“PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, kishte thënë Çitaku.

Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Osmani.

Pjesëmarrjen në këtë takim me presidenten Osmani e konfirmoi edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Mund të ju konfirmoj që AAK do të marrë pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta”, tha Kushtrim Xhemajli, zëdhënës i kësaj partie.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Presidentja u ka dërguar një letër liderëve të partive, në të cilën ka shkruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.

“Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e presidentes drejtuar partive politike.

Prishja e raporteve ndërmjet Osmanit dhe Kurtit doli në shesh edhe muaj më parë.

Në fund të muajit maj të këtij viti, presidentja Vjosa Osmani shpërtheu dhe i qiti në sipërfaqe mospajtimet me qeverisjen e Albin Kurtit, ndonëse ishin munduar që gjatë gjithë mandatit qeverisës t’i mbajnë brenda zyrave të tyre.

Osmani u shfaq shumë e mllefosur me qeveritarët, të cilëve për kohë të gjatë ua mbajti zhagin, shkruan Demokracia.com.

Krejt kjo lidhej me zotimin për formimin e Asociacionit dhe dërgimin e draftit në Kushtetuese.

E hatruar, Osmani u shfaq edhe me ish-bashkëpunëtoren e saj të ngushtë, kryediplomaten Donika Gërvalla – Schwarz.

Presidentja Osmani ka lënë fillimisht të kuptohet se Asociacioni u nxor nga pakoja e marrëveshjeve të arritura gjatë vitit të kaluar në kuadër të dialogut me Serbinë.

“…Që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova, por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, tha ajo.

Osmani kishte thënë se tashmë të gjitha kishin rënë në ujë me ofertën që u bë një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të KiE-së.

“Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë, sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët, prandaj është domosdoshmëri kushtetuese në përputhje me nenin 84, që qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme që sipas kushtetutës sonë gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i Presidencës. E të thuhet që kjo në çfarëdo mënyre paska pas të bëjë me largësinë për mua është diçka që nuk dua ta besojë që dikush e thotë, sepse nuk ka fare të bëjë me realitetin dhe tregon që në njëfarë mënyrë po tentohet që ky moskoordinim për një çështje kaq kapitale të lihet si faj të Presidenca që për mua është vërtetë edhe shumë qesharake, sepse të gjitha institucionet e dinë shumë mirë që presidentja e vendit ka qenë 24 orë të çdo ditë të javës në komunikim me të githë për tema të rëndësisë kapitale, sidomos në fushën e politikës së jashtme që janë brenda mandatit të presidentes. Kjo absolutisht për mua është befasi tepër e madhe se kushdo qoftë ta thotë një gjë të tillë mund të ketë qenë ndonjë dezinformatë që është bartur te kryetari i Kuvendit, sepse me të si kryetar i Kuvendit kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Asnjëherë nuk ndodh që mos të koordinohemi për tema të rëndësishme. Edhe kur jemi jashtë vendit i kemi telefonat, ka mënyra të sigurta të komunikimit, të cilat i posedojmë dhe është edhe çështja tjetër”, u shpreh Osmani.

Edhe para pak ditësh, Osmani nëpërmjet këshilltarit të saj Bekim Kupina tregoi se është e pakënaqur me veprimet e Qeverisë së Albin Kurtit.

Ky reagim erdhi pasi Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, njoftoi se Qeveria ia kishte dërguar një letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se Kosova do ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin dhe pret nga ai ta pranojë Kosovën si anëtaren më të re.

Megjithëse, Kosova në Komitetin e Ministrave nuk ishte fare në agjendë, kjo letër shkaktoi shumë zhurmë në publik. Qeveria nuk u konsultua as me presidenten Osmani për letrën që ia dërgoi KiE-së, ku e njoftoi për qëllimet e Qeverisë për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një draft-statut për Asociacionin.

Kështu tha këshilltari i presidentes Bekim Kupina, deri sa potencoi se Osmani “nuk e përkrah këtë letër”.

“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës… Kjo letër nuk është e tillë”, tha Kupina.

Kjo deklaratë shpërfaqi pakënaqësitë e Osmanit.

Edhe muaj më parë, Osmani dhe Kurti kanë debatuar në publik gjatë një mbledhjeje të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.

Nga ajo që kapën kamerat, dyshja u panë të debatonin nën tension.

Osmani e Kurti e shfaqën padurueshmërinë e tyre për njëri-tjetrin. Ndonëse nuk treguan kurrë çka debatuan, gjuha e trupit ekspozoi tensionet mes tyre.

Osmani e Kurti kanë pasur mendime të ndryshme edhe për raportet e Qeverisë së Kosovës me aleatët.

Ftohja mes liderëve shtetërorë është vërejtur edhe në takimet me ndërkombëtarët, sidomos me përfaqësuesit më të lartë amerikanë si ish-zëvendësndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të SHBA-së, Gabriel Escobar.

Në muajin mars, Escobari zhvilloi vizitë zyrtare dyditore në Kosovë. Ai u shfaq shumë i afërt me presidenten Vjosa Osmani. Me të mbajti konferencën e përbashkët teksa Osmanin e quajti “gardiane të marrëdhënieve Kosovë-SHBA”.

Qasjen që kishte me Osmanin, Escobari nuk e pati me kryeministrin Kurti. Ani pse qëndroi dy orë në takim, në fund zëvendësndihmës Sekretari i SHBA-së doli në konferencë vetëm me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier. /Demokracia.com/

Të ngjashme