Sport
Përballja Shqipëri – Serbi, policia shqiptare me masa të veçanta
Demokracia
13:49 | 28 Maj 2025

Share:

Në datën 7 qershor 2025, ora 20:45, “Arena Kombëtare” do të jetë skena e një ndeshjeje me peshë të veçantë për Kombëtaren shqiptare, që përballet me Serbinë në kualifikueset e Botërorit.

Përtej sfidës sportive, kjo përballje mbart edhe dimensione historike, edhe politike, që kanë ngjallur emocion dhe tension mes tifozëve dhe opinionit publik.

Për këtë arsye, autoritetet shqiptare kanë mobilizuar masa të jashtëzakonshme sigurie për të garantuar një mbrëmje sportive të qetë dhe pa incidente.

Për të parandaluar çdo incident dhe për të siguruar një ambient të sigurt për tifozët dhe lojtarët, organizimi i kësaj ndeshjeje ka nisur kohë më përpara.

KAMERAT- Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me Shërbimet e Sigurisë së Shtetit, Policinë dhe agjenci të tjera, po implementojnë masa të avancuara sigurie në stadium.

Nga burime të sigurta të “Panorama Sport” mësohet se në stadiumin “Arena Kombëtare” po instalohen sisteme moderne sigurie që përfshijnë kamera me njohje fytyre “face recognition” dhe kamera të lëvizshme shtesë, që do të monitorojnë çdo lëvizje në tribuna dhe rreth stadiumit në kohë reale.

Kjo teknologji do të ndihmojë në identifikimin e menjëhershëm të personave potencialisht problematikë.

KONTROLLI– Policia ka përgatitur një plan të detajuar kontrolli, që përfshin verifikimin e imtësishëm të biletave dhe dokumenteve të identifikimit të çdo personi që hyn në stadium.

Biletat duhet të jenë me emrin dhe mbiemrin e mbajtësit, duke parandaluar kështu trafikun dhe abuzimin me to. Tifozët nuk do të lejohen të hyjnë me çadra shiu, shishe, çanta më të mëdha se A4, objekte metalike apo çdo gjë tjetër që mund të shkaktojë rrezik.

Kontrolli trupor do të jetë i hollësishëm dhe i detajuar.

Të ngjashme