Lajme
Për vizitën zyrtare në Amerikë, zëvendësministrja Liza Gashi shpenzoi 9 mijë euro
Demokracia
19:15 | 16 Tetor 2022

Share:

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, gjatë vizitës gati 3 javore në muajin maj në SHBA ka shpenzuar 9 mijë euro për bileta udhëtimi, akomodim, dreka e darka zyrtare dhe mëditje. Këto të dhëna për shpenzimet financiare, Kanal10 i ka siguruar pas kërkesës për qasje në dokumente publike, për të cilën MPJD-ja nuk i ka respektuar afatet ligjore. Në vend të kësaj, kanë bërë një reagim të paparë në praktikat institucionale.

Për vizitën në maj në Amerikë të kryeministrit Albin Kurti dhe një delegacioni nga Kosova, së cilës ende nuk i shihen frytet, vazhdojnë të shfaqen shifrat e shpenzimit të buxhetit të shtetit.

Për vizitën gati 3 javore në ShBA, vetëm zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka shpenzuar në total 9 mijë euro.

Për të, për bileta të udhëtimit janë paguar 1 mijë e 83 euro.

Kurse, për siç e kanë cilësuar akomodim zyrtarë jashtë vendit – kredit kartelë, zëvendësministrja Gashi ka shpenzuar nga buxheti i shtetit, 4 mijë e 264 euro.

Zëvendësministrja Gashi, 2 mijë e 194 euro i mori për mëditje, derisa dreka e darka të udhëtimit në SHBA shpenzoi mbi 1 mijë euro.

Në total, shpenzimet e zëvendësministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i kushtuan buxhetit të shtetit, saktësisht 8 mijë e 970 euro.

Këto të dhëna Kanal10 i ka siguruar pas kërkesës më 12 korrik të këtij viti për qasje në dokumente publike, por që MPJD-ja i ka shkelur afatet ligjore për të kthyer përgjigje.

“3 muaj i janë dashur Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për t’i lejuar qasje televizionit në dokumentet publike, përkitazi me kërkesën për shpenzimet e zëvendësministres Liza Gashi gjatë vizitës në SHBA. Në fakt, heshtja e tyre disa mujore është thyer pas ankesës që kemi bërë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi”

Ky institucion ka paralajmëruar se do ta gjobiste me mjete financiare MPJD-në, nëse vazhdon të shkel më tutje afatet ligjore.

Për shkak të vonesës në kthimin e përgjigjesh, televizioni ka tentuar të marr një qëndrim nga zëvendësministrja Gashi, por ajo nuk ka pranuar të flasë, me zotimin se këtë do ta bëjë një ditë tjetër.

Por, vetëm pak orë pas këtij komunikimi para objektit të MPJD-së, si asnjëherë më parë në praktikat e institucioneve, kjo ministri ka dërguar reagim për kinse sjelljen e gazetarit karshi zëvendësministres.

Në reagimin e kësaj ministrie thuhet se ky institucion ka qenë transparent vazhdimisht në komunikimet me gazetarë, por duke harruar se pikërisht Kanal10 kishte pritur mbi tre muaj për një përgjigje, e derisa për një praktikë të tillë, MPJD-ja edhe është gjobitur në të kaluarën nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Insistimi i gazetarit Kushtrim Kadriu për të marrë një prononcim nga zëvendësministrja Gashi e cila ishte në drekë zyrtare me palë të tretë dhe ndjekja e saj me kamerë deri tek objekti i MPJD-së, është veprim shqetësues dhe i papranueshëm. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mbetët e përkushtuar për të përmbushur standardin demokratik të transparencës institucionale në raport me mediat dhe publikun. MPJD po ashtu është e angazhuar që përmes Zyrës për Komunikim me Publikun të ofroj qasjen dhe përgjigjet për pyetjet e secilit medium drejtuar institucionit, gjë që e ka bërë edhe ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike të z. Kadriu, i cili përgjigjen e ka pranuar me email gjatë ditës së djeshme(12 tetor 2022)”, thuhet në reagimin e MPJD-së.

Ndërkaq, mostransparenca e ministrive, është evidentuar edhe nga shoqëria civile, e cila kritikon institucionet për shkelje të Ligjit për qasje në dokumente publike.

Nuk është hera e parë që MPJD-ja nuk lejon qasje në dokumente publike, ngase ishte dënuar me 13 mijë euro gjobë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Kjo gjobë ishte shqiptuar pasi kjo ministri nuk u kishte ofruar mediave qasje në shpenzimet e diplomatit Prindon Sadriu, bashkëshort i presidentes Vjosa Osmani, për shpenzimet e tij në kuadër të Ambasadës së Kosovës në Maqedoni të Veriut.

Ndryshe, gjatë vizitës në SHBA, Gashi ka qenë krahu i djathtë i kryeministrit Albin Kurti, ngase pothuajse në çdo takim ka qenë pjesëmarrëse.

Kanal10 kishte kërkuar qasje në dokumente publike për shpenzimet e kryeministrit dhe delegacionit të tij për vizitën në SHBA, vizitë kjo që buxhetit të Kosovës i ka kushtuar 36 mijë e 722 Euro.

Me shpenzimet e zëvendësministres Gashi, shpenzimet e vizitës në SHBA arrijnë në mbi 45 mijë e 600 euro./Gazeta10

Të ngjashme