Hakerat mund të marrin kontrollin e iPhone-it, Mac-ut tuaj, madje edhe makinës përmes Apple AirPlay, duke përdorur një grup të rrezikshëm dobësish të quajtura AirBorne.
Ekipi i kompanisë Oligo Security ka zbuluar 23 dobësi në AirPlay, që lejon përdoruesit të transmetojnë audio, video dhe foto nga pajisjet Apple në pajisje të tjera inteligjente.
Pas zbulimit të këtyre dobësive, studiuesit teknologjikë identifikuan 17 mënyra të ndryshme që hakerat mund t’i shfrytëzojnë për sulme në distancë ndaj miliarda pajisjeve që përdorin këtë teknologji transmetimi pa tel.
Çdo mënyrë e mashtrimit kërkon përditësime të posaçme softuerike për të mbrojtur pajisjet nga kërcënime si marrja në distancë, vjedhja e të dhënave ose përhapja e malware-t përmes rrjeteve.
Dobësia AirBorne lejon sulme “zero-click”, ku hakerat mund të dëmtojnë pajisjet pa ndonjë veprim nga ana e përdoruesit, si problemi në macOS që fshehurazi zëvendëson aplikacionin Apple Music me kod keqdashës.
Apple më 31 mars përditësoi pajisjet me ‘patch-e’ sigurie, përfshirë iOS 18.4, macOS Sequoia 15.4 dhe tvOS 18.4.
Megjithatë, dhjetëra miliona pajisje AirPlay të prodhuara nga palë të treta mund të mbeten të pambrojtura nëse nuk marrin përditësime në kohë nga prodhuesit.
Për të qëndruar të sigurt, çaktivizoni marrësit AirPlay në cilësimet e pajisjes dhe kufizoni qasjen në “Current User”. Instalimi i softuerit të sigurisë në pajisjet Apple ul edhe më shumë rreziqet nga transmetimi i vazhdueshëm në sfond të AirPlay-t.
Me 1.8 miliard iPhone dhe 500 milion pajisje të tjera kompatibile me AirPlay aktive në të gjithë botën, kërcënimi nga AirBorne është i madh, përforcuar nga aftësia e tij për të lidhur sulmet zinxhir përmes rrjeteve.
Për të çaktivizuar AirPlay në iPhone tuaj, hapni “Settings” (Cilësimet), shkoni te seksioni “General” dhe pastaj “AirPlay & Continuity”.
Në krye të menusë do të shihni kartelën “Automatically AirPlay”. Shtypeni dhe zgjidhni opsionin “Never” për të fikur këtë funksion.