Lajme
Për të 24-ën herë, Kuvendi i Kosovës edhe sot do të përpiqet të konstituohet
Demokracia
08:02 | 31 Maj 2025

Share:

Kuvendi i Kosovës edhe sot do të vazhdojë seancën konstituive, duke nisur nga ora 10:30. Kjo shënon përpjekjen e 24-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Edhe seancën e kaluar, të enjten, deputetët refuzuan për të pesëmbëdhjetën herë rresht ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryeparlamentar.

Këtë formë të votimit e propozoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari, më 1 maj pasi e propozuara e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, dështoi radhazi të merrte votat e nevojshme për t’u bërë kryeparlamentare.

Kjo formë e votimit është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Ndërkaq, partia fituese po e shfrytëzon këtë formë të votimit për të thënë se kanë ngecur te një çështje proedurale dhe jo te mungesa e shumicës parlamentare për të zgjedhur kryeparlamentarin.

Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

Por, procesi ka ngecur te pika e tretë – zgjedhja e kryeparlamentarit.

Për mosthemelimin e institucioneve ka reagime e thirrje për të dalë nga ngërçi brenda dhe jashtë vendit.

Organizatat e shoqërisë civile kanë paralajmëruar për pasojat që do të ketë Kosova për shkak të mospasjes së institucioneve. Një prej pasojave më të ndjeshme që këto organizata listuan ishte pamundësia e ratifikimit të marrëveshjes me Bashkimin Europian për fonde.

Po ashtu edhe nga Bashkimi Europian i është bërë thirrje Kosovës që të themelojë institucionet dhe të nisë punën për të përfituar nga Plani i Rritjes që blloku ka hartuar për vendet e rajonit – disa prej të cilave veçse kanë filluar të marrin paratë.

Në vizitën e saj në Kosovë, Përfaqësuesja e BE-së, Kaja Kallas, u bëri liderëve të partive politike që t’i lënë anash ndasitë dhe ta bëjnë prioritet të ardhmen e Kosovës.

“Formimi i Kuvendit të ri dhe Qeverisë së re është thelbësor për stabilitetin dhe rritjen e Kosovës, si dhe për të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha Kallas./Express/

Të ngjashme