OpEd
Për ta ndaluar shpërthimin e luftës në Kosovë, duhet të trajtohet liria e medias në Serbi
Demokracia
07:16 | 18 Gusht 2022

Share:

Nga: Antoinette Nikolova / Balkan Free Media Initiative / EuroActiv

Pas ndezjes së tensioneve mes dy vendeve, udhëheqësit e Serbisë dhe të Kosovës priten për bisedime urgjente në Bruksel (18 gusht). Abuzimi me mediat dhe me rrjetet sociale duhet të jetë në krye të agjendës.

Ja pse. Më 1 gusht, një mosmarrëveshje mbi rregullat për targat e makinave, u shndërrua në krizë të madhe, pas shpërthimit të dezinformatave prej faqeve të internetit të lidhura me Rusinë dhe me profilet e mediave sociale që pretendonin se luftimet kishin shpërthyer në Kosovë, se forcat serbe kishin hyrë në vend dhe se Rusia do t’i mbështeste ata. Pasoi paniku, derisa u bë e qartë se këto pretendime nuk ishin aspak të vërteta.

Fatmirësisht, këtë herë u shmang konflikti i vërtetë. Por, ekspertët thonë se sulmi ishte operacion agresiv hibrid rus, i krijuar për ta provokuar një luftë tjetër evropiane dhe për ta larguar kështu vëmendjen nga Ukraina. Nuk ka asnjë arsye për të menduar se ata nuk do ta provojnë këtë sërish.

Në Kosovë, kërcënimi i tillë ka peshë të veçantë. Në vitin 2004, serbët u akuzuan gabimisht për mbytjen e tre fëmijëve shqiptarë. Pasoi një stuhi mediatike e cila çoi në një shpërthim të dhunës etnike që la 19 njerëz të vdekur dhe qindra tjerë të plagosur. Sipas OSBE-së, “pa raportimin e pamatur dhe sensacional të 16 dhe 17 marsit, ngjarjet mund të kishin marrë rrjedhë tjetër”.

Si Serbia ashtu edhe Kosova kanë mësuar pak nga kjo tragjedi. Retorika përçarëse dhe agresive e medias është e zakonshme nga të dyja palët – shpeshherë rrjedh nga liderët e tyre politikë. Në të vërtetë, në rastin e Vuçiqit, takimi i së enjtes – i cili duhet të jetë mundësi e madhe për t’i zbutur tensionet – tashmë po keqpërdoret si mundësi mediatike.

Presidenti serb i tha transmetuesit shtetëror RTS se ai nuk pret asgjë nga bisedimet dhe se e ka gabim kushdo që mendon se është e mundur të ruhet paqja me Albin Kurtin – kryeministrin e Kosovës,.

Është gjithashtu e qartë se Vuçiqi nuk e ka bërë asnjë koment për sulmin e supozuar hibrid të Rusisë, pavarësisht faktit se përfshinin njoftime të rreme që i atribuoheshin vetë presidentit.

Kjo nuk duhet të jetë befasi. Vuçiqi prej kohësh i ka nxitur mediat serbe për të përhapur retorikë përçarëse rreth Kosovës dhe çështjeve tjera, si dhe ka prirë në rënien e madhe të hapësirës informative të Serbisë. Instituti V-Dem raportoi se nën presidencën e tij, Serbia është transformuar nga një demokraci elektorale në autokraci elektorale – “pas sulmeve të vazhdueshme ndaj gjyqësorit dhe kufizimeve në media dhe në shoqërinë civile”.

Këto kufizime kanë bërë që dezinformimi rus të lulëzojë në mediat kryesore. Duke i pasur parasysh ngjarjet historike dhe ato të fundit në Kosovë, kjo tani duhet të shihet si çështje serioze për sigurinë në rajon.

Narrativat pro-ruse janë të përhapura në mediat serbe që mbështeten nga shteti. Në shkurt, një ditë pasi Rusia pushtoi Ukrainën, tabloidi më i njohur serb, “Informer”, raportoi në faqen e parë: “Ukraina sulmon Rusinë!”

Ky shembull tronditës është veçse maja e ajsbergut. Një studim i fundit i kryer nga Iniciativa për Media të Lira në Ballkan, zbuloi se dezinformatat ruse përsëriten rregullisht në burimet kryesore të mediave në Serbi, përpara se të shpërndahen gjerësisht nëpër rrjetet sociale.

Teksa pjesa më e madhe e Evropës tashmë e ka ndaluar kanalin shtetëror të propagandës ruse, RT, transmetuesi në korrik njoftoi se do të hap zyra të reja në Serbi.

Çështja komplikohet nga fakti se mediat e besueshme dhe të paanshme të lajmeve po përballen me presion të vazhdueshëm nga qeveria dhe nga përpjekjet për t’i eliminuar ato nga tregu.

Aktivistët e lirisë së medias kritikuan këtë muaj rregullatorin e medias të Serbisë, pasi mediave pro-qeveritare ua dha të katër licencat e disponueshme televizive kombëtare. Ka spekulime se një licencë e pestë dhe e fundit mund t’i shkojë stacionit hungarez TV2, që ka lidhje të ngushta me Viktor Orbanin.

Dhënia e licencave televizive kombëtare – që rinovohen për vetëm çdo dhjetë vjet – është një nga mundësitë afatgjata për ta përmirësuar pluralizmin mediatik të minuar nga autoritetet serbe.

Këto beteja për lirinë e medias mund të duken teknike ose të parëndësishme nëse shikohen veç e veç. Por, ato kontribuojnë në rënien masive të hapësirës informative që e bën Kosovën objektiv të përsosur për Rusinë dhe për akterët tjerë keqdashës.

Në kontekstin aktual, takimi i së enjtes ka më shumë gjasa të përdoret si mundësi mediatike për ta përsëritur përçarjen, në vend që të paralajmërojë një përparim në negociata. Kjo nuk duhet lejuar të vazhdojë. Për ta mbrojtur Kosovën, BE-ja duhet të bëjë më shumë sesa të presë për bisedimet. Ajo duhet të ndërmarrë hapa aktivë për ta përmirësuar lirinë e medias në Ballkan.

Të ngjashme
OpEd • 27 Mars 2024