Sport
Për sulmin ndaj portierit të Ballkanit po diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës
Demokracia
12:28 | 07 Prill 2022

Share:

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albena Reshitaj ka folur rreth incidentit të rëndë në ndeshjen e Superligës së Kosovës në futboll mes Gjilanit dhe Ballkanit, ku disa persona e sulmuan fizikisht futbollistin e mysafirëve, Stivi Frashëri.

Reshitaj ka thënë se incidenti i shkaktuar nga disa tifozë të Gjilanit ndaj portierit shqiptar nuk duhet kaluar në heshjte.

“Duke qenë nënkryetare e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, më lejoni që sot para jush ta ndaj një shqetësim që është shumë i rëndë. Ngjarje të tilla që ndodhin nuk duhet të kalojnë në heshtje edhe nga ne si përfaqësues të popullit që jemi këtu”, tha në fillim deputetja Reshitaj.

Reshitaj ka kërkuar nga Prokuroria dhe Gjykata dënim maksimal për ata që kryen veprën, shkruan Express.

“Ta shqelmosh një futbollist në fushë pa asnjë pengesë është shqetësim i madh, si për ne, aq më tepër për familjarët e lojtarëve, të cilët nuk i kanë rritur, edukuar e shkolluar fëmijët e tyre që personat e pandërgjegjshëm t’i sulmojnë ata. Kërkoj nga çdo organ kompetent, duke filluar nga Prokuroria e nga Gjykata, që me dënime maksimale t’i ndëshkojë sulmuesit, të cilët vetëm sportin nuk e duan”, shtoi ajo.

“Sa me gëzim i kemi përjetuar të gjitha ngjarjet madhore të 2016-ës kur Federata e jonë u anëtarësua në këto nivele të futbollit. Por, shumë herë më rëndë e kemi përjetuar të dielën e 3 prillit të këtij viti. Organizimet e ngjarjeve sportive do të duhej të ishin obligim i padiskutueshëm i secilit klub, sikurse edhe i organizmave të tjerë të këtij sporti, përfshirë këtu edhe vetë Federatën gjegjëse, për të ofruar siguri për çdo akter në fushë, duke i përfshirë futbollistët, stafet e skuadrave, gjyqtarët, delegatët e ndeshjeve, gazetarët e deri te vetë tifozët”, deklaroi ajo.

Kujtojmë se në lidhje me rastin e sulmit të së dielës pasdite ndaj futbollistit të Ballkanit, Stivi Frashëri, dy persona po mbahen në paraburgim.

Frashëri u dërgua me urgjencë në spitalin e Gjilanit për të marrë  trajtimin e nevojshëm, ndërsa u lirua tek në orët e mbrëmjes.

Të ngjashme