Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se po vazhdon edhe të martën inspektimin në zonën e Brezovicës që është si vazhdimësi e aksioneve të mëhershme lidhur me rastin “Brezovica”.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj në koordinim dhe bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda (DKR) në Prishtinë, Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës, edhe sot, janë duke realizuar një inspektim në zonën e Brezovicës, që është vazhdimësi e aksioneve të mëhershme lidhur me rastin “Brezovica””, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit qëllimi i këtij inspektimi, sipas prokurorisë, është identifikimi i ndërtimit të të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin.
Kujtojmë se prokuroria ka kryer aksione të tilla edhe dy herë të tjera brenda shtatë ditësh. Njëra nga to u zhvillua dje dhe tjetra më 4 gusht. /Demokracia.com/