Janë bërë pesë ditë që kur partitë politike kanë filluar zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Që nga 3 shkurti, partitë politike kanë filluar edhe zyrtarisht fushatën e tyre për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, fushatë kjo e cila do të zgjasë deri më 12 shkurt.
Mirëpo, sipas monitoruesve të zgjedhjeve, partitë politike kanë bërë shkelje flagrante të ligjit, pasi që sipas tyre, ata fushatën e kanë filluar para afatit të përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Jeta Krasniqi nga Demokracia në Veprim (DnV), organizatë kjo që merret me monitorimin e procesit zgjedhor në vend, ka thënë për Demorkacia.com, se të gjitha partitë politike fushatën e tyre e kanë filluar para se të zyrtarizohet data e fushatës.
“Partitë politike nuk e kanë respektuar afatin zyrtar e të bërit fushatë zgjedhore. Kemi parë në fakt se ata kanë filluar të bëjnë fushatë edhe gjatë kohës kur njihet si periudha para fushatës”, ka thënë Krasniqi për Demokracia.com.
Sipas Krasniqit, këto shkelje kanë ndodhur edhe në të kaluarën dhe se DnV-ja gjithmonë ka kërkuar që kjo çështje të rregullohet me ligj, që si pasojë të mos ketë situata kur partitë fillojnë fushatën pa e zyrtarizuar.
“Partitë politike nuk e kanë respektuar afatin zyrtar e të bërit fushatë zgjedhore. Kemi parë në fakt se ata kanë filluar të bëjnë fushatë edhe gjatë kohës kur njihet si periudha para fushatës. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën dhe ne si Demokraci në Veprim edhe në të kaluarën kemi kërkuar që kjo çështje të rregullohet me ligj, në mënyrë që të mos kemi situata kur partitë politike veçse fillojnë fushatën në periudhën, e cila nuk është zyrtarisht e caktuar për tu bërë e njëjta. Kjo nënkupton pastaj se vetëfinancimet e partive politike gjatë asaj periudhe jo domosdoshmërisht bëhen publike dhe ne kemi kërkuar që edhe kur të bëhen raportimet e financimeve të partive politike gjatë fushatës të integrohet edhe periudha e parafushatës”, ka thënë Krasniqi për Demokracia.com
Krasniqi po ashtu ka thënë se partitë politike nuk janë duke e respektuar rregullin e paralajmërimeve zyrtare të aktiviteteve zgjedhore, 24 orë para organizimit të tyre në KQZ.
“Në aspektin tjetër ne kemi parë që partitë politike nuk janë duke e respektuar rregullin që duhet të paralajmërojnë aktivitetet e tyre zgjedhore 24 orë para organizimit të tyre në KQZ. Kjo është thyerje e drejtpërdrejtë e ligjit dhe ne kemi bërë thirrje të vazhdueshme partive politike që në fakt të respektojnë rregullativën ligjore dhe t’i paralajmërojnë të gjitha aktivitetet zgjedhore që ata mbajnë, qofshin ato ecje në sheh apo takime me grupe të shënjestruara nëpër shtëpi të personave të ndryshme apo ambiente të tjera, të paralajmërohen ashtu siç e kërkon edhe rregullativa ligjore”, pohoi Krasniqi.
Krasniqi po ashtu ka bërë të ditur se për Demokracinë në Veprim është shumë shqetësues fakti se partitë politike gjatë fushatës nuk po i respektojnë masat anti-Covid dhe se kjo do t’i kushtojë Kosovës edhe me shëndetin e njerëzve por edhe ekonomikisht, gjë që sipas saj, kjo do të jetë e papërballueshme për vendin.
“Ajo se çfarë e shohim shqetësuese është fakti që subjektet politike nuk janë duke i respektuar masat anti-Covid. Jemi duke e parë se numri i personave se sa duhet të jetë prezent në ambientet e brendshme dhe të jashtme nuk është duke u respektuar, në të njëjtën kohë e shohim se nuk ka distancë fare në këto aktivitete, njerëzit janë ngjitur me njëri-tjetrin pavarësisht se është e qartë se duhet të qëndrojnë një metër e gjysmë larg njëri – tjetrit dhe maskat në pjesën më të madhe nuk mbahen. Është një shkelje flagrante duke e ditur që jemi në kohë të pandemisë dhe duke e ditur që shumë shtete janë duke marrë masa shtesë për parandalimin e shpërndarjes së kësaj pandemie, ndërkohë që Kosova është duke u sjellë sikur jemi në një situatë normale. Kjo do t’i kushtojë shumë në përgjithësi shoqërisë, mund të kushtojë qoftë me shëndetin apo edhe me jetën e qytetarëve dhe në të njëjtën kohë edhe me pasoja ekonomike, të cilat ne si Kosovë dhe institucionet qoftë shëndetësore apo edhe buxheti i Kosovës nuk do të mund t’i përballojë”, theksoi Krasniqi për Demokracia.com.
Kujtojmë se ka qenë Komuna e Prishtinës, përkatësisht Inspektorati komunal ai i cili qysh në fillim kishte marrë vendim që të gjobiten me nga dy mijë euro të gjitha partitë politike të cilat mbajnë tubime elektorale në kundërshtim me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
Deri më tani inspektorati komunal i Prishtinës ka gjobitur të gjitha partitë politike me nga dy mijë euro, e madje disa prej tyre janë ndëshkuar më shumë se një herë.
Siç ka bërë të ditur drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, se askush nuk është mbi ligjin dhe se të gjithë ata që shkelin ligjin do të ndëshkohen.
Sipas Tahirit, deri më tani janë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, të cilat janë ndëshkuar nga tre herë.
Në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë gjobitur nga dy herë në Prishtinë, përderisa Nisma Socialdemokrate është ndëshkuar vetëm një herë.
Po ashtu edhe Inspektorati i Komunës së Prizrenit e ka ndëshkuar me dy mijë euro një subjekt politik, mirëpo nga kjo komunë nuk kanë treguar se për cilin subjekt bëhet fjalë.
Drejtoria e Inspektoratit, së bashku me inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë mbrëmë kanë bërë…
Posted by Komuna e Prizrenit on E mërkurë, 3 Shkurt 2021
Ndryshe zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt të këtij viti dhe fushata zgjedhore do të zgjasë deri më 12 shkurt pasi që një ditë para zgjedhjeve është heshtje zgjedhore dhe të gjitha partitë politike ndalojnë fushatën e tyre dhe nëse më 13 shkurt ato mbajnë ndonjë fushatë, atëherë do të ndëshkohen nga institucionet përkatëse. /Demokracia.com/
Lexo edhe: