Lajme
“Për pak pushtet” dhe frikë nga “Non Grata” | A po e braktisë Vjosa Osmani edhe Albin Kurtin, si para dy vitesh LDK-në?
Demokracia
12:37 | 01 Korrik 2023

Share:

Një fotografi buzgaz e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, mund të mos i pëlqejë kryeministrit Albin Kurti.

Në këto kohë të vështira për kryeministrin Kurti, i cili po përballet me presionin e madh ndërkombëtar për veprimet e tij në veriun e tensionuar të Kosovës, kur përkrahja i duhet më së shumti, ai mund të mos gjejë mbështetje as tek Presidetja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Me të drejtë, lideri i Vetëvendosjes mund të shqetësohet, sepse duke e njohur personalitetin karrierist të presidentes Osmani, e cila dikur për pushtet e kishte braktisur shtëpinë e saj, LDK-në e Ibrahim Rugovës, ai e di se e njëjta mund t’i ndodhë edhe atij.

“Për pak pushtet”, Vjosa Osmani ia kishte falur Albin Kurtit akuzat e mëdha kundër Ibrahim Rugovës, në emrin e të cilit ajo thirrej vazhdimisht dhe kudo që shkonte.

Në komunikatën e Vetëvendosjes, “Gjaku i humbur”, derisa denoncohej Hashim Thaçi që i kishte shkuar në varrim, partia e Kurtit nuk kishte lënë gjë të zezë pa thënë për Rugovën. “Ti që shkele mbi gjakun e Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve tjerë, është turp që ta përmendësh emrin e tij. Është turp që ta keqpërdorësh fotografinë e tij. Ti edhe Ibrahim Rugova e keni vetëm një dallim, një dallim të vogël. Ai ishte kolaboracionist, sepse nuk ishte betuar asnjëherë për çlirimin e Kosovës, kurse ti je tradhëtar i kombit sepse e ke shkelur betimin e dhënë…”, thuhej ndër tjerash.

Tani Kurti e di se Vjosa Osmani “për pak pushtet” mund ta braktisë edhe atë.

Situata bëhet edhe më serioze, kur kësaj “për pak pushtet” i shtohet edhe frika e mundshme dhe paralajmërimeve që kanë qarkulluar në medie të ndryshme serioze se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mund të shpallet person “Non Grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të rolit të tij destruktiv.

Serwer: S’e përjashtoj që Kurti mund të shpallet non-grata nga Amerika, ka pasur problem me vizë si opozitar

Kurti dhe Sveçla “Non Grata” të ShBA-së? | DASh-i nuk heq dilemat: Nuk parashikojmë veprimet e sanksioneve

Vjosa Osmani i di pasojat politike dhe karrieriste për një politikan kur ai shpallet Person Non Grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shembullin nuk e ka të largët, mjafton që ta hedhë syrin në Shqipëri, atje ku Sali Berisha bënë një jetë politike të vetmuar dhe me të cilin nuk takohet asnjë zyrtar i ndonjë shteti perëndimor.

Në mes të këtyre ngjarjeve, duket se nuk është e rastësishme shfaqja buzagaz e presidentes Osmani pranë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ajo nuk e ka bërë këtë në rastet tjera, por vetëm tani që sanksionet dhe masat ndëshkuese për Kosovën dhe politikanët e saj kanë hyrë në fazën e zyrtarizimit të tyre.

Madje, Osmani ishte sjellë shumë më indiferencë ndaj Ramës në të kaluarën, shkruan Demokracia.com.

Në rastet e kaluara, presidentja Osmani kishte shmangur edhe fotografitë e përbashkëta me Edi Ramën apo edhe e kishte sulmuar rëndë atë.

Pas shkëlqimit të Edi Ramës në OKB, Vjosa Osmani shpërthen kundër tij: Po ia shpëton fytyrën Serbisë

Por, në rrethana të reja politike, kur bashkësia ndërkombëtare ka shtur presionin mbi kryeministrin Albin Kurtin, presidentja Vjosa Osmani ka vendosur të harrojë raportet e acaruara me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ashtu siç kishte harruar edhe akuzat e rënda të Albin Kurtit kundër Ibrahim Rugovës.

Kryeministri Kurti me të drejtë mund të shqetësohet se po braktiset edhe nga njeriu i fundit, Vjosa Osmani, e cila i qëndroi deri tani besnike.

Ngritja në politikë e Vjosa Osmanit deri në postin e Presidentes së Kosovës, pa shfaqur asgjë, por thjesht duke shpërndarë urrejtje për kundërshtarët politikë, që kryesisht përfaqësonin luftën çlirimtare të Kosovës dhe duke kapur momentumin politik, është një arsye e fuqishme për këtë.

“Për pak pushtet”, bindja politike si një rugoviste, doli se ishte krejtësisht falso për Vjosa Osmanin. Në kohën më të vështirë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, ajo e braktisi partinë e Ibrahim Rugovës për të kaluar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Kalimi i saj në partinë e Albin Kurtit, njeriut që kishte bërë akuza të tmerrshme për Ibrahim Rugovën, themeluesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk kishte të bënte me parime, por Osmani e kishte parë se fitorja po trokiste për Vetëvendosjen dhe ajo nuk kishte ngurruar të bëhej pjesë e vagonit të kësaj partie.

LVV-ja e bëri edhe presidente, pasi ajo doli kandidatja më e votuar në mungesë të Albin Kurtit në garë, të cilit ia ndalonte ligji si i dënuar për vepër penale.

“Vetëm shiko sa ish deputetë të PDK-së ke përreth, sa ish LPK-istë ke përreth dhe do ta marrësh përgjigjen se unë e Lumiri sot e kurrë nuk do të vijmë në Vetëvendosje”, deklaronte deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, në një seancë plenare të Kuvendit të Kosovës.

Kundërshtitë e saj me VV-në, ajo i vazhdonte edhe në studio televizive. “Krejt karriera ime politike lidhet me LDK-në dhe do të lidhet vetëm me LDK-në, kurrë asnjëherë në asnjë parti tjetër. Në ditët që unë nuk jam në LDK, nuk jam as në politikë. Kaq. Aty unë e përfundoj karrierën time politike”, deklaronte me plotë bindje Osmani.

Deri më tani, presidentja Osmani nuk ka dalë kundër veprimeve të kryeministrit Albin Kurti. Ajo më shumë ka heshtur, por në rastet kur është deklaruar ajo nuk ka dhënë ndonjë pozicion të qartë. /Demokracia.com/

Reagim pa qëndrim | Presidentja Osmani poston një foto pas lajmit për sanksione nga BE-ja

Të ngjashme