Lajme
Për pak ditë skadon afati i marrëveshjes së Uashingtonit: Çfarë biseduan dje Osmani, Kurti e Konjufca?
Demokracia
10:33 | 27 Gusht 2021

Share:

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca dje mbajtën një takim tre orësh. Tre krerëve të shtetit në mëngjesin e së enjtes në Zyrën e Presidentit u është bashkuar edhe zëvendëskryeministri për Integrime, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi. Burime të Demokracia.com bëjnë të ditur se ata kanë biseduar rreth emërimit të ambasadorëve, politikës së jashtme dhe marrëveshjes së Uashingtonit.

Më katër shtator bëhet një vit që prej kur Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e presidenit të atëhershëm amerikan, Donald Trump, nënshkruajtën një marrëveshje me disa zotime.

Kjo marrëveshje përfshin një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e çnjohjeve të Kosovës nga ana e Serbisë dhe përpjekjeve të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

Burime të afërta të Demokracia.com me presidenten Osmani konfirmojnë se në takim është diskutuar edhe për këtë çështje, pasi që Serbia mësohet se ka përgatitur një ofensivë për tërheqjen e njohjes së Republikës së Kosovës nga disa shtete.

Demokracia.com ka dërguar pyetje në Presidencë dhe në Qeveri rreth takimit, megjithatë deri kur është publikuar teksti nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, vlen të përmendet se kryeministri Kurti në shumë paraqitje të tij ka kundërshtuar marrëveshjen e nënshkruar në Uashington.

Ai është shprehur kritik ndaj pikës së marrëveshjes ku thuhet se për një vit, Kosova nuk duhet të kërkojë që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Sipas Kurtit, kjo përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Serbia në anën tjetër, ka vazhduar fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovë, derisa zyrtarët e këtij vendi vazhdimisht kanë paralajmëruar tërheqje të tjera.

Pikërisht gjatë muajit shtator, në Beograd do të mbahet takimi i vendeve të Lidhjes së të Painkuadruarve, ku do të marrin pjesë “shtetet çnjohëse”.

Kryeministrit Kurti në vazhdimësi i është bërë thirrje që ta zbatojë marrëveshjen e Uashingtonit, duke përfshirë këtu edhe nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili e kishte bërë të qartë se është një zotim që detyrimisht duhet respektuar.

Me moszbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit, Kosova rrezikon ta humb përkrahjen lobuese të SHBA-së./Demokracia.com/

Të ngjashme