Ani pse Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, kanë qëndruar në të njëjtën kohë në New York, acarimin e marrëdhënieve e kanë bartur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po qëndrojnë me rastin e hapjes së Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Në asnjë moment, Osmani dhe Kurti nuk kanë gjetur kohë që të zhvillojnë ndonjë takim apo aktivitet të përbashkët me përfaqësues të shteteve të ndryshme, shkruan Demokracia.com.
Lexo më shumë:
Ndonëse kanë qëndruar larg njëri-tjetrit, presidentja Osmani është munduar që ta rivalizojë Kurtin për takimet që ka zhvilluar.
Duke parë se izolimi i Kurtit sipas sanksioneve të Bashkimit Evropian ka arritur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Osmani është munduar të tregojë se ky izolim nuk vlen edhe për të.
Presidentja Osmani ka shkuar në disa darka zyrtare dhe ceremoni të ndryshme, në të cilat Kurti nuk ishte i ftuar.
Ajo ka bërë edhe një publikim krekosës në rrjetin social në Facebook, ku ka listuar të gjitha takimet dhe bashkëbisedimet që ka pasur.
Postimi i Osmanit: https://tinyurl.com/yc2brr5y
Megjithkëtë, kjo listë e gjatë dhe fotografitë e publikuara, tregojnë edhe për natyrën e “takimeve” që kishte Osmani. Vetëm pak prej tyre mund të quhen takime bilaterale, kurse shumica tjetër janë vetëm bashkëbisedime me përfaqësues të shteteve të ndryshme, të cilët Osmani i ka takuar në ceremoni të organizuar nga shtete të tjera.
Duket e bezdishme pasi në shumicën e fotografive nga këto “bashkëbisedime” dhe “takime” është edhe bashkëshorti i presidentes, Osmani, Prindon Sadriu.
Prezenca e Zotëriut të Parë në fotot me Presidenten, tregojnë për nivelin e “bashkëbisedimeve” dhe “takimeve” të të parës së shtetit. /Demokracia.com/