Qytetarët e Luginës së Preshevës të enjten kanë votuar përsëri në fshatin Tërnoc për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Kryetari i koalicionit të Shqiptarëve të Bashkuar, Shaip Kamberi, ka arritur votat e mjaftueshme që të bëhet deputet në Parlamentin e Serbisë.
Lajmin për Demokracia.com e kanë konfirmuar nga Shtabi i Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës.
“Sipas rezultateve preliminare, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës – Shaip Kamberi ka marrë 679 vota, SNS- 1, MORAMO 1 dhe kanë qenë edhe 11 vota. Me këtë rezultat Shaip Kamberi arrin të bëhet deputet.”, kanë thënë nga Shtabi i Koalicionit të Shqiptarëve të luginës.
Për herë të tretë, Kamberi do të jetë zëri i shqiptarëve në Kuvendin serb.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot u bëri thirrje qytetarëve të Luginës së Preshevës që ta votojnë koalicionin e Shqiptarëve të Luginës, i cili mban numrin 16.
Sipas Kurtit, një përqindje e vogël e votave mund të ndryshojë situatën dhe shqiptarët të mund të marrin një ulëse në Kuvendin e Serbisë.
“Pas vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve në qendrën 6 të vendvotimit në Bujanoc, janë rritur gjasat që bartësi i listës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, z. Shaip Kamberi, të fitojë edhe një mandat deputeti. Potenciali votues i vendvotimit 6 është 1089 vota. Nevojiten 650 vota ose votimi i 60% të qytetarëve nga lista e votimit që z. Kamberi të vazhdojë përfaqësimin e shqiptarëve”, shkroi Kurti ditën e sotme në Facebook.
Shefi i Qeverisë deklaroi se Shaip Kamberi meriton të jetë pjesë e Kuvendit të Serbisë.
“Për dy mandate përfaqësimi z. Kamberi ka qenë gjithmonë i zëshëm gjatë seancave parlamentare në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe në denoncimin e regjimit autokratik në Serbi”.
“Deputeti Kamberi kundërshtonte ashpër para kuvendarëve serbë ndryshimin e pjesshëm të Kushtetutës së Serbisë, duke besuar se akti duhet të ndryshohet në tërësinë e tij. Ai përmendte si problematike preambulën e Kushtetutës, e cila përcakton Kosovën si pjesë të Serbisë”, u shpreh i pari i LVV-së.
Kamberi, i cili në zgjedhjet e 3 prillit garoi në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, kishte kërkuar ripërsëritje të votimit, pasi sipas tij këto zgjedhje u karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të “pasivizimit të adresave të shqiptarëve”.
Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, që përbëhet nga Partia për Veprim Demokratik bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik mori 9,644 vota të cilat nuk ia dhanë një mandat shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.
Partitë shqiptare në Serbi në këto zgjedhje garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë.
Këto dy lista morën afër 13,000 vota