Lajme
Për gjashtë muaj mbi 100 raste të mospërputhjes së çmimeve raft-arkë, shqiptohen vetëm 57 gjoba
Demokracia
08:03 | 22 Korrik 2023

Share:

Gjatë periudhës janar-qershor janë shqiptuar 57 gjoba për mospërputhje të çmime raft-ark. Nga MINT kanë deklaruar se në pjesën më të madhe, asnjëra nuk është nën një mijë. Mirëpo, numrin e dhënë të gjobave e konsiderojnë të ulët nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve

Kishte blerë një lodër me çmim 12 euro e 90 cent, çmim ky i cili ishte vendosur mbi produktin. Megjithatë, të njëjtin e kishte paguar me çmimin prej më shumë se 14 euro, kur shkoi të paguante te arka në një market.

Qytetari i cili dëshiron të mbesë anonim ka treguar se nuk është hera e parë që hasë në mospërputhje të çmimeve raft-arkë.

Jo rrallëherë na rastisë të dëgjojmë rreth mospërputhjes së çmimeve të produkteve në raftet e dyqaneve, krahasuar me çmimet e të njëjtave kur arrijmë tek arka për të kryer pagesën.

Një tjetër qytetar deklaroi se ndonëse për raste të tilla ka shumë ankesa ankesa nga qytetarët, për të njëjtat nuk merret ndonjë masë. “Ka ndodhur një gabim”, është arsyetimi i përsëritur vazhdimisht.

Personi në fjalë thotë se është shqetësuese kalimi i buxhetit që ata parashikojnë gjersa theksojnë se pas pagesës, produktet rrallë kthehen mbrapsht.

Por sa raste të kësaj natyre janë lajmëruar në institucionet kompetente?

Në një përgjigje për Dukagjinin nga Departamenti për Mbrojtje të Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), kanë treguar se më shumë se 100 raste janë paraqitur mbi mos-përputhjen e çmimeve raft-arkë, gjatë periudhës janar-qershor.

“Përgjatë kësaj periudhe kemi pranuar numër të madhe të thirrjeve në linjën pa pagesë 0800 11000 nga ana e konsumatorëve, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth problemeve dhe vështirësive që kanë hasur gjatë marrjes së shërbimeve nga operatorët ekonomik. Ne kemi udhëzuar dhe këshilluar të gjithë konsumatorët në lidhje me problemet të cilat i hasin gjatë kryerjes së shërbimeve. Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit (DMK), në gjashtë mujorin e parë të viti 2023, gjegjësisht në periudhën Janar – Qershor ka pranuar gjithsej 164 ankesa nga konsumatorët për rastet e kësaj natyre, mospërputhje e çmimeve raft –arkë.”, thuhet në përgjigje.

Gjatë të njëjtës periudhë, sipas tyre janë shqiptuar 57 gjoba, në pjesën më të madhe, asnjëra nën një mijë euro.

“Gjatë vitit 2022, janë shqiptuar gjithsejtë 92 gjoba për mospërputhje të çmimeve raft/arkë. Gjatë gjashtëmujorit të parë të 2023, janë shqiptuar gjithsejtë 57 gjoba për mospërputhje të çmimeve raft/arkë. Vlera e gjobave të shqiptuara është proporcionale me natyrën e shkeljes, por në shumicën e rasteve nuk është nën 1000 euro”, kanë thënë nga MINT.

Lidhur me gjobat, Selatin Kaçaniku nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve konsideron se numri i tyre mbetet i ulët. Njëjtë me to, edhe ankesat.

“Nëse ne kemi parasysh, kemi një mijë fusha, një mijë sektore socio-ekonomike dhe qinda transaksione ekonomike brenda dite, ndoshta miliona, brenda një periudhe kaq të gjatë është hajgare. Ministra në vend që të dëshprohet, të ndjejë keqardhje, ajo lavdërohet se i ka evidentuar 100 ankesa të cilat janë jashtëzakonisht të pakta, e bën MINT-in dhe Qeverinë shumë qesharake”, ka deklaruar ai.

Kaçaniku fajëson Qeverinë e Kosovës për mosinteresim gjersa konsideron se kjo vjen si shkak i ndërhyrjes së konsumatorëve në “sekretet e saj”.

“Neve asnjë qeveri, asnjë legjislacion i Qeverisë nuk na ka mundësuar që ne të angazhohemi aktivisht dhe ligjërisht për të drejtat e konsumatorve. Neve gjithmonë kemi qenë të bllokuar. Puna jonë ka qenë e sabotuar prandaj vitin e kaluar, më 15 mars, në ditën botërore të të drejtave të konsumatorit, në mënyrë demonstrative demostruam dhe ngritëm aktivitetet tona. Qeveria shprehet se nuk e dinte dhe vazhdimisht shprehet e painteresuar. Kjo sepse asnjë qeverie nuk i leverdis nëse ne si konsumatorë, hyjmë në sekretet e saj. Pra ne kemi hyrë thellë në sekretet e Qeverisë…”, ka deklaruar ai.

Ankesat e kësaj natyre, siç tregon MINT, dërgohen te Inspektorati i Tregut. Të njëjtit thonë se fatura duhet ruajtur gjersa e cilësojnë atë si “dëshminë më të mirë”.

“Të gjitha ankesat merren parasysh dhe trajtohet me prioritet nga ana e DMK e që përcillen tek inspektorati i tregut, e që më pas vendoset për mënyrën e masave ashtu siç e përcakton ligji. Është shumë e rëndësishme që të gjithë konsumatorët që shërbehen nga operatorët ekonomik ta kërkojnë faturën, sepse është dëshmi e blerjes së një produkti, e mbi të cilin fakt dëshmohet shërbimi”, thonë nga MINT.

Megjithatë, disa ankesa janë në masë më të lartë se disa të tjera.

Ndër më të shpeshtat sipas MINT, janë mospërputhjet e çmimeve, produktet me afat të skaduar, mosdhënia e kuponit fiskal dhe mosdhënia e mallit.

Të ngjashme