Intervista
Për 7 muaj, u larguan mbi 100 mjekë, ndërsa trefish më shumë infermierë nga Kosova
Demokracia
08:54 | 07 Gusht 2023

Share:

Sfidë për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës vazhdon të mbetet mungesa e stafit.

Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve të Kosovës, në një intervistë për Front Online thotë se ikja e mjekëve nuk është zëvendësuar.

Problemi më i theksuar është të kuadri i mesëm.

E zëvendësimet nuk janë bërë as në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

“Varet prej sektorit, ka dallim në problemet që paraqiten në këto është mungesa e stafit. Sidomos kuadri i mesëm ka probleme, por edhe në shumë lëmi ka probleme tek kuadri më i lartë, në këtë rast specialistë. Dihet se në vitin e kaluar ka pasur lëvizje mjaftë të mëdha, qoftë të mjekëve të rinj që kanë shkuar dhe nuk kanë mundur me u zëvendësuar, nëpër shtëpi shëndetit sidomos”, thotë ai për Front Online.

Përveç ikjes së mjekëve, Sejdiu për Front Online tregon edhe pasojat që janë shkaktuar në spitale.

Ai thotë se më e theksuar ka qenë ikja e mjekëve anesteziolog.

“Nëpër spitale ka pasur një migrim mjaftë të ndjeshëm, sidomos të anesteziologëve dhe nga sektori privat, dhe do të thotë është shkëputur zinxhiri në lëmitë e kirurgjisë, është shkëputur zinxhiri i funksionimit normal të atyre”.

Sejdiu ka përmendur edhe mos rëndësinë që i është dhënë mjeteve teknike e aparaturave duke mos i mirëmbajtur.

Përveç kësaj, ai renditë edhe disa arsye tjera të cilat janë bërë shkak në ikjen e mjekëve.

“Pjesa e dytë është do të thotë, ka vite të tëra që nuk iu ka dhënë shumë rëndësi mirëmbajtjes së aparaturave. Nuk i është dhënë rëndësi aspak trajnimit profesional, po flasim për aparaturat që janë blerë, apo metodat e reja që të implementohen në trajtim. Mungesa të herë pas hershme të materialeve të nevojshme për trajtim dhe këto të gjitha e kanë bërë një lloj dëshpërimi apo është reflektuar si dëshpërim tek profesionistët”, thotë ai për Front Online.

Brenda këtij shtatë mujori janë larguar rreth 100 mjekë nga Kosova.

Kreu i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu thotë se shumica kanë qenë të papunë.

Ashtu si në vitin e kaluar, edhe këtë stinë pritet të jetë i njëjtë largimi i mjekëve, thotë Sejdiu.

“Numri i mjekëve të cilët janë larguar jashtë Kosovës është mbi 100. Gjatë këtyre tre muajve, është zvogëluar pak ritmi, dhe kjo ndërlidhet direkt me konkursin e specializimeve, sepse shumica prej tyre janë mjekë të rinj dhe mjekë të papunë të cilët në të vërtetë për shkak të mos pasjes së specializimeve, angazhimet në sektorin primar, dhe janë larguar. Është një trend përafërsisht si i vitit të kaluar. Në vitin e kaluar kanë qenë mbi 200-210 që janë larguar, edhe në këtë vit pritet përafërsisht të jetë ai numër i mjekëve të larguar”, u shpreh ai për Front Online.

Sejdiu në një intervistë për Front Online thotë se numri i ikjes së infermierëve jashtë vendit, është trefish më i madh se ai i mjekëve.

“Numri i infermierëve që kanë ikë jashtë vendit është trefish më i madh se i mjekëve. Nuk kemi të dhëna të sakta, por zakonisht gjatë këtyre viteve nëse ka shkuar një mjekë, atëherë kanë shkuar edhe tre infermierë”, deklaroi ai për Front Online.

Kreu i Odës së Mjekëve: Për pesë vjet, u larguan nga Kosova mbi 550 ekipe mjekësore

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu në një intervistë për Front Online thotë se për 5 vite janë larguar nga Kosova mbi 550 ekipe mjekësore.

“Për katër vite e gjysmë, pesë, sa ne monitorojmë këtë lëvizje, diku rreth mbi 550 ekipe mjekësore janë larguar prej Kosovës”, thotë ai tutje.

Pleurat Sejdiu: Ikja e mjekëve, rrit listën e pritjes në QKUK

Jashtë vendit më së shumti kanë ikur anesteziologë.

E kjo, kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu thotë se ka ndikuar në listën e pritjes dhe janë rritur pakënaqësitë e pacientëve.

“Varet prej sektorëve. Më të goditurit ka qenë edhe sektorët e kirurgjisë, ku një numër i anesteziologëve ka shku dhe automatikisht është reduktuar puna në salla, është rritë lista e pritjeve, kështu edhe pakënaqësitë e pacientëve janë rritur”, thotë ai për Front Online.

Mbi 600 mjekë të papunë, Sejdiu tregon arsyet

Deri para një viti arsyeja kryesore e ikjes së stafit mjekësorë jashtë vendit ka qenë paga.

Ndërsa tani sipas kreut të Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu arsyeja është mos punësimi.

“Në vitin 2022 dhe këtë vit, kanë ndryshuar pak arsyet, deri në vitin 2022 çdo herë e para ka qenë paga, pastaj ka qenë kushtet e punës, dhe kushtet e specializimit. Pasi janë rritur pak pagat, në end të pagës e kemi punësimin”, thotë ai.

Sejdiu thotë se janë 600 mjekë që janë të papunë.

“Kemi mbi 600 mjekë së paku ata të cilët në odë janë lajmëruar si të papunë, E dyta është kualiteti i specializimeve, krejt këto janë se janë dhe shumica të rinj, dhe e treta ka qenë çështja e kushteve të punës”, u shpreh ai për Front Online.

Kryetari i Odës së Mjekëve: Bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë lë për të dëshiruar

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu derisa foli për problemet që po përballen, flet edhe për bashkëpunimin që e kanë me Ministrinë e Shëndetësisë.

Sipas asaj që Sejdiu tha në një intervistë për Front Online, bashkëpunimi me dikasterin e shëndetësisë nuk është në nivelin e duhur.

“Bashkëpunimi me Ministria lë shumë për të dëshiruar. Është një vakum i koordinimit të aktiviteteve”, thotë ai për Front Online.

Të ngjashme