Lajme
Pengesë pas pengese – Mbi tre muaj nga zgjedhjet, Kosova ende pa institucione
Demokracia
11:46 | 23 Maj 2025

Share:

Në orët e vona të 9 shkurtit, pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli të festonte në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.

Ndër tjerash, kreu i LVV-së, Albin Kurti, listoi se çfarë do të bënte në katër vjetët e ardhshëm.

Pak orë më vonë, edhe partitë të tjera dolën me qëndrimet e tyre. I pari ishte kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili kërkoi që opozita e deriatëhershme të bëhej bashkë për ta formuar qeverinë e re.

Por, edhe më shumë se tre muaj pas, Kosova jo vetëm që nuk e ka Qeverinë e re, por s’ka as Kuvend të konstituuar.

Që nga vonesat në numërim të rezultateve e deri te mospajtimi për postin e kryeparlamentarit, ja çfarë ka ndodhur gjatë kësaj periudhe. /REL

9 shkurt

Mbahen zgjedhjet parlamentare.

9 shkurt

Lëvizja Vetëvendosje del e para.

15 mars

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

17 mars

Lëvizja Vetëvendosje kërkon rivotimin me postë, Partia Demokratike e Kosovës kërkon të rishqyrtohet një gjobë e dhënë gjatë fushatës, dhe koalicioni mes Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizjes për Bashkëveprim kërkon anulimin e votave të Partisë së Ashkalinjve për Integrim.

19 mars

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa refuzon ankesat e subjekteve politike.

21 mars

Subjektet politike i drejtohen Gjykatës Supreme me të njëjtat ankesa.

24 mars

Gjykata Supreme refuzon kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës.

26 mars

Gjykata Supreme refuzon edhe kërkesat e tjera për rezultatin e zgjedhjeve.

26 mars

Prokuroria nis hetimet për votimin me postë.

27 mars

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikon rezultatet e zgjedhjeve.

27 mars

Lëvizja Vetëvendosje i drejtohet Gjykatës Kushtetuese kundër vendimit të Gjykatës Supreme për votat me postë.

1 prill

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, cakton 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

15 prill

Mbahet seanca e parë konstituive. Formohet komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve, por raporti nuk kalon pasi që deputetë të partive që kishin qenë në opozitë s’e votuan. Ata s’pajtoheshin me mënyrën e dorëheqjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar që ishin zgjedhur deputetë.

17 prill

Mbahet seanca e dytë konstituive. Sërish s’votohet raporti për verifikimin e mandatit të deputetëve.

19 prill

Mbahet seanca e tretë konstituive. Këtë herë votohet raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve, dhe këta të fundit e bëjnë betimin. Albulena Haxhiu s’i merr votat e mjaftueshme për kryeparlamentare.

21 prill

Mbahet seanca e katërt konstituive. Lëvizja Vetëvendosje propozon sërish Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ajo s’i merr 61 votat e nevojshme.

23 prill

Mbahet seanca e pestë konstituive. Albulena Haxhiu sërish dështon të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare.

25 prill

Mbahet seanca e gjashtë konstituive. Albulena Haxhiu, përkundër kërkesave të partive të tjera, sërish propozohet për kryeparlamentare, dhe sërish dështon të marrë votat e nevojshme.

27 prill

Mbahet seanca e shtatë konstituive. Sërish, Albulena Haxhiu propozohet për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe sërish dështon të marrë votat e nevojshme.

29 prill

Mbahet seanca e tetë konstituive. Vetëvendosje sërish propozon Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ajo sërish nuk siguron 61 votat e nevojshme.

1 maj

Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e nëntë. Këtë herë, Lëvizja Vetëvendosje propozon që votimi për kryeparlamentar të jetë i fshehtë. Ky propozim nuk pranohet nga partitë e tjera.

3 maj

Vetëvendosje përsërit kërkesën për votim të fshehtë të kryeparlamentarit. Partitë e tjera e refuzojnë dhe Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e dhjetë.

5 maj

Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e 11-të. Sërish dështimi vjen pasi Vetëvendosja kërkon votim të fshehtë dhe partitë e tjera e refuzojnë atë.

6 maj

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i fton partitë parlamentare të takohen së bashku për ta formuar një qeveri tranzitore dhe “unifikuese”. Kjo ofertë u refuzua nga të tjerët.

7 maj

Edhe tentimi i 12-të përfundon njëjtë. Vetëvendosja propozon votim të fshehtë, partitë e tjera e refuzojnë, konstituimi i Kuvendit sërish dështon.

9 maj

E premte, seanca e 13-të konstituive e Kuvendit të Kosovës po ashtu dështoi.

Seanca u ndërpre për të vazhduar pas dy ditëve, të dielën në mëngjes.

11 maj

Edhe seanca e 14-të pati të njëjtën rrjedhojë.

13 maj

As seanca e 15-të nuk sjell rezultat. Sërish, propozimi i LVV-së për votim të fshehtë u refuzua nga partitë e tjera.

15 maj

Ngjashëm shkon edhe seanca e 16-të, që përfundoi sërish me njoftimin se ajo do të vazhdojë dy ditë më vonë.

15 maj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, takon krerët e partive parlamentare, në tentim për të zhbllokuar ngërçin politik. Por, takimi përfundon pa shënuar ndonjë përparim.

17 maj

Konstituimi i Kuvendit dështon sërish. Këtë herë, LVV-ja propozon që vazhdimet e seancave të mos bëhen çdo 48 orë, ashtu siç e kërkon rregullorja e Kuvendit, por një herë në javë. Ky propozim s’gjen mbështetje nga partitë e tjera.

19 maj

Me të njëjtat mospajtime, deputetët s’arrijnë ta konstituojnë Kuvendin as në tentimin e 18-të.

21 maj

Kërkesë nga LVV-ja për ta formuar komisionin për votim të fshehtë, refuzim nga partitë e tjera. Sërish i njëjti skenar dhe i njëjti rezultat: Kuvendi s’u konsituua as në përpjekjen e 19-të.

22 maj

Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, gjatë një vizitë në Prishtinë, u bën thirrje partive parlamentare në Kosovë të bashkëpunojnë për ta zhbllokuar ngërçin politik në vend

23 maj

Për të 20-tën herë, dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Të ngjashme
Lajme • 23 Maj 2025