Përmbysja e Realit në “Santiago Bernabeu” ndaj Manchester Cityt nuk do të ishte bërë kurrë realitet pa të në fushë. Rodrigo u bë lojtari i parë që shënon dy herë pas minutës së 90- të në një ndeshje me eliminim direkt në Ligën e Kampioneve.
Sulmuesi brazilian u bë gjithashtu edhe lojtari i parë që shënon dy gola në një ndeshje të Champions-it si zëvendësues që prej Gareth Bale në finalen kundër Liverpulit në Kiev (2018). Dhe paraqitjen e tij e vlerësoi edhe legjenda e futbollit Pele.
Përmes një postimi në “Instagram” ai e uroi talentin te potenciali i të cilit ka besuar gjithnjë shumë, që kur luante për Santosin. “E dija gjithnjë që do të vinte një ditë kur do të uroja ty miku im”, shkruante Pele.
“Nuk ka mënyrë tjetër për ata që punojnë fort dhe dashurojnë atë që bëjnë. Ti ndriçon dhe do të na sjellësh shumë gëzime Rodrigo. Urime Realit të Madridit! Mezi po pres që të shoh finalen”, përfundonte mesazhi i 81-vjeçarit.
Dhe i menjëhershëm ishte edhe reagimi i sulmuesit të Realit, i cili e falënderoi për fjalët e tij të bukura. “Faleminderit për fjalët e tua, Mbret. Nuk do t’i harroj kurrë këshillat e tua dhe do të të jem përjetësisht mirënjohës”. /Demokracia.com