Lajme
Pekini rrezikon izolimin për 47 raste, në Shangai vendosen kafaze në banesa
Demokracia
14:13 | 25 Prill 2022

Share:

“Situata është e zymtë,” thotë Komisioni Shëndetësor i Pekinit. 47 raste të Covid-19 që u shfaqën të premten, ishin të mjaftueshme për të shqetësuar autoritetet.

Kështu, edhe popullsia e kryeqytetit kinez rrezikon të përfundojë në të njëjtin izolim 4-javor si Shangai.

Për momentin, epiqendra e shpërthimit të Pekinit, është distrikti Chaoyang, ku janë të përqendruara zyra, ambasada, qendra tregtare luksoze që tërheqin qindra mijëra vizitorë çdo ditë.

Autoritetet thonë se infeksionet kanë qarkulluar për të paktën një javë. Cai Qi, Sekretari i Partisë në kryeqytet, tha se masat parandaluese nuk mund të presin as edhe një ditë.

Që nga fillimi i krizës, në vitin 2020, Xi Jinping kishte shpallur se Pekini duhet mbrojtur me çdo kusht.

Strategjia shëndetësore është e njëjtë: 3.5 milionë banorëve të Chaoyang u janë bërë tre tamponë në gjashtë ditë që të mund të hyjnë në zyrë ose të dalin nga shtëpia.

Në rrugë u ngritën tenda testimi përballë rrokaqiejve dhe njerëzit u rreshtuan sipas kritereve.

Duket e pashmangshme që me analizat gjithëpërfshirëse të dalin edhe raste të tjera dhe të nisë rrethi i “gjurmimit agresiv” të kontakteve dhe lëvizjeve të të infektuarve, gjë që do të çojë në zgjerimin e masave.

Frika e një bllokimi të afërt për valën e Covid-19, ka ndezur valën e blerjeve në Pekin, duke krijuar radhë të gjata në supermarkete.

Një gjë e tillë ka ndodhur edhe përpara qendrave të përkohshme për testime masive në Chaoyang, rrethi qendror i kryeqytetit kinez.

Në Shangai, bllokimi i vendosur më 28 mars ka hyrë në një fazë edhe më të shtrënguar për zonat ku raportohen më shumë raste

Situta është shndërruar në një “izolim të forcuar raportojnë mediat ndërkombëtare.

Rezultati është se që nga fundjava, kanë filluar të montohen rrjeta metalike dy metra të larta përpara hyrjeve të ndërtesave në disa zona.

Kjo, për të dekurajuar banorët që tentonin të dilnin në oborr ose në rrugë. Në lagjet e klasës punëtore, për të sinjalizuar karantinën, janë kanë varur tuta të bardha të emergjencës që duken si dordolec para shtëpive.

Numri i infeksioneve të konstatuara nga 1 marsi në mesin e 26 milionë banorëve të Shangait, tani po i afrohet 500,000.

Deri më 17 prill, autoritetet nuk kishin raportuar asnjë vdekje. Tani numri i të vdekurve ka arritur në 138./Gazetasi/

Të ngjashme