Lajme
Peci thotë se Haradinaj-Stublla ia pamundësoi Osmanit pjesëmarrjen në ceremoninë e njohjes nga Izraeli
Demokracia
21:18 | 02 Shkurt 2021

Share:

Këshilltari i Vjosa Osmanit, Faton Peci ka reaguar pasi raportimeve të mediave për faktin se u.d e presidentit nuk mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.

Faton Peci, këshilltar i ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas disa raportimeve në medie në lidhje me mosprezencën e Osmanit në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, shkruan Demokracia.com.

Sipas Pecit, prezenca Osmanit i është pamundësuar nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila siç theksoi ai, e ka shkelur protokollin duke ia pamundësuar asaj të ketë adresim para mediave.

“Është për keqardhje që MPJD ka instrumentalizuar protokollin e shtetit për të shtyrë përpara agjenda partiake në prag të fushatës zgjedhore. Qasja e tillë e MPJ-së e dëmton jo vetëm kredibilitetin e saj, por edhe të vet shtetit të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjerash Peci, përcjell Demokracia.com.

Ai po ashtu ka theksuar faktin që Osmani sot ka biseduar me kryetarin e Kuvendit të Izraelit për ta falënderuar për raportet dhe njohjen.

Postimi i plotë:

u.d Presidentja nuk e ka injoruar ceremoninë për marrëdhëniet diplomatike me Izraelin por MPJD ka injoruar protokollin dhe kërkesat e Presidencës, si institucion që sipas kushtetutës udhëheqë me politikën e jashtme.

u.d. Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë të jetë prezente në këtë ceremoni, por pjesëmarrja i është pamundësuar nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila e ka shkelur Protokollin shtetëror, duke i pamundësuar Presidentes të ketë adresim dhe poashtu duke i pamundësuar rolin në ceremoni që i takon sipas praktikave dhe protokollit.

Është për keqardhje që MPJD ka instrumentalizuar protokollin e shtetit për të shtyrë përpara agjenda partiake në prag të fushatës zgjedhore. Qasja e tillë e MPJ-së e dëmton jo vetëm kredibilitetin e saj, por edhe të vet shtetit të Kosovës.

U.D. Presidentja ka përshëndetur dje lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit dhe sot ka zhvilluar bisedën e parë telefonike me Kryetarin e Knesset-it. Siç ka potencuar vazhdimisht, njohja nga Izraeli reflekton edhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes dy popujve tanë.

Të ngjashme