Lajme
Peci që ankohej për shpotitjet me mbiemrin e tij, merret me emrin e Kica-Xhelilit
Demokracia
11:13 | 08 Shtator 2022

Share:

Deputetja Doarsa Kica-Xhelili, pas pakënaqësive në partinë GUXO, po pritet t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ikja e saj i ka dëshpëruar dhe nervozuar shumë kolegët e saj të deridjeshëm, shkruan Demokracia.com.

Faton Peci, njëri nga kryetarët e GUXO, dje u mor gjatë gjithë ditës me të.

Dëshpërimin për kalimin e pritshëm të Kicës në LDK, ai nuk e fshehu në rrjete sociale e studio televizive.

Peci e quajti kontrabandim këtë. Madje, kah mbrëmja, lufta u bë edhe më e ashpër e më e ulët.

Njeriu që ankohej pse qytetarët e shpotisnin për mbiemrin karakteristik Peci, u mor edhe me emrin e ish-koleges së tij.

“Doarsa apo Daorsa”, pyeti Peci, njeriu i dilemës Peci apo Luci.

‘Është mirë me ju tregu që e ka emrin Doarsa e jo Daorsa. Për çështje të korrektësisë. Edhe kjo flet diçka, fakti që ende edhe emri nuk është i njohur për opinion, flet diçka”, tha Peci në Politiko.

Reagime pati edhe nga Haxhi Avdyli e Burim Karameta, shkruan Demokracia.com.

“Kemi dëgjuar që është taku me ekspontentë të PDK-së e të LDK-së dhe me opinionistë. Nuk e di a ka me shku në LDK a në PDK, se më shumë është folur se do të shkojë në PDK. Duhet të presim dhe ta shohim ku do të shkojë”, ka thënë Avdyli.

Madje, për të folën edhe partnerët e koalicionit, kryeministri Albin Kurti, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari e ministrja Albulena Haxhiu.

Haxhiu largimin e deputetes, Doarsa Kica-Xhelili, nga Vetëvendosje e ka konsideruar si tradhti ndaj qytetarëve.

“Unë vazhdimisht kam thënë se kalimi në këtë mënyrë, sidomos pas mbështetjes së madhe popullore që kemi pasur, mendoj që goditja i jepet qytetarëve, sepse besimi që ia kanë jep qytetarëve konsiderohet i pavlerë për to”, ka thënë ajo në Atv.

Por, këta sikur kanë harruar që vetë GUXO, që atëherë quhej Lista Guxo, ishte themeluar nga njerëzit që e braktisën LDK-në.

Osmani si zyrtare e lartë partie u largua nga LDK-ja bashkë me Donika Gërvallën, Faton Pecin, Haxhi Avdylin, Burim Karametën, i cili më pas e ndryshoi edhe mbiemrin në Meta.

Zyrtarët e GUXO e kritikuan deputeten Kica për veprimin që dy vite më parë e bënë vetë. Ata ikën nga LDK-ja dhe e krijuan subjektin e tyre politik. /Demokracia.com/

Të ngjashme