Lajme
Peci në darkë me përfituesin e grantit prej 100 mijë euro, më herët deklaronte se nuk i njeh aplikuesit
Demokracia
12:31 | 28 Maj 2025

Share:

Një nga skandalet të raportuara së fundmi nga Periskopi lidhet me mënyrën se si janë ndarë grantet në Ministrinë e Bujqësisë, e cila drejtohet nga ministri në detyrë Faton Peci. Sipas raportimeve, grantet janë përfituar nga familjarë të afërt të këshilltarit të tij Fitore Pacolli – përkatësisht vëllai dhe daja i saj – si dhe nga kompani të lidhura me Lëvizjen Vetëvendosje dhe bashkëpartiakë të tij nga Lista Guxo. Këto gjetje kanë ngjallur reagime të forta dhe dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Për të gjitha këto, Peci e ka hedhur përgjegjësinë nga supet duke mohuar se është i përfshirë në dhënien e ndonjë granti “me t’njofshëm”.

“Unë s’e di as kush aplikon”, pati thënë Peci në një studio televizive teksa fliste për grantet në AZHB.

Periskopi ka siguruar një fotografi, ku Peci shihet nën shoqërinë e disa personave në një darkë duke ngrënë mish.

Pas një hulumtimi, del që njëri nga ta është përfitues i grantit 100 mijë eurosh nga AZHB.

Feim Jerliu [shih foton] është personi i cili, gruaja e tij Sanije Jerliu ka aplikuar për grantin 100 mijë eurosh në AZHB për ‘Investime në blerjen e makinerive bujqësore’.

Kjo nuk është e gjitha. Skandali i publikuar ditë më parë nga ‘Kallxo.com’ rreth ‘Darkës së Lamës’, ku nikoqir në vitin që lam pasë ishte Faton Peci, doli të jetë me çmime të fryera dhe pa procedura të prokurimit.

Kësisoj, Ministria që drejton Pecin kishte gënjyer publikun rreth kostos së kësaj darke.

Një detaj interesant, është fakti se në Darkën e Lamës të pranishëm ishin edhe përfitues të granteve qindra-mijëra eurosh. Disa prejt tyre, Peci u kujdes që së bashku me kryeministrin Kurti t’i shpërblenin me nga një mirënjohje dhe një laptop.

Tutje, nëse hyjmë në arkivë, emri i Feim Jerliut ka një histori të zezë mbrapa vetes.

Më 21 shtator 2023, gazeta Sinjali kishte publikuar një artikull për një person të arrestuar nën akuzat për ‘vjedhjen e pyllit’ në Kamenicë.

Mediumi në fjalë kishte identifikuar personin dhe i njëjti del të jetë, pikërisht përfituesi i grantit në Ministrinë e Pecit, Feim Jerliu.

Ministri në detyrë, Faton Peci gjatë ditës së djeshme u intervistua si i dyshuar nga Prokuroria Speciale, lidhur me kontratën e nënshkruar për fabrikën për mbetjet shtazore – skandal ky i publikuar ekskluzivisht nga Periskopi në prill të këtij viti.

Të ngjashme
Lajme • 29 Maj 2025