Lajme
Peci, konfuz: Ende nuk kemi konfirmim për kalimin e Kica-Xhelilit në LDK
Demokracia
21:55 | 07 Shtator 2022

Share:

Ministri i Bujqësisë Faton Peci nuk ka mundur ta pohojë e as mohojë largimin e Doarsa Kica- Xhelili nga partia Guxo, duke thënë se një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga vetë deputetja.

Gjatë Kuvendit Zgjedhor të Guxo, ai deklaroi se kanë koordinim të plotë me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla. Ai tha se kryetari i ri i partisë do të zgjidhet me votën e fshehtë të delegatëve.

“Ne ende nuk kemi një konfirmim të saktë, ka përfolje në nivel të mediave. Sido që të jetë do të kemi reagimin tonë, në momentin kur deputetja në fjalë e bën përfundimisht të qartë qëndrimin e saj. Nuk mund të them unë që është larguar, përderisa ajo nuk ka dhënë një qëndrim të qartë në raport me këtë”, tha Peci.

Më tej, Peci ka shtuar se janë duke realizuar premtimet e dhënë në fushatë zgjedhore. Për këtë tha se janë edhe kurioz të dinë se cilat premtime nuk po mbahen.

“Shumëkush mund të ketë pakënaqësi apo mendim ndryshe për procese të caktuara. Por ajo çfarë jemi ne kuriozë të kuptojmë është se cili prej premtimeve të dhëna publikisht gjatë kohës së fushatës nuk jemi duke e mbajtur. Jemi duke u angazhuar që ta përmbushim. Kjo është pjesa e preokupimit tonë që në një rrethanë tjetër do të ishim ndier keq. Përderisa ne jemi shumë komod dhe me vetëbesim që të gjitha zotimet tona jemi duke i realizuar, çështja pastaj mbetet individuale nëse dikush vendos të largohet. I humb durimi, energjia ose edhe guximi për të bashkë udhëtuar politikisht”, ka thënë ai.

I pyetur për postimin e tij të sotëm me presidenten Vjosa Osmani pas raportimeve për largimin e Kica-Xhelilit në LDK, ministri i Bujqësisë deklaroi se falë saj një numër i madh nga partia Guxo janë në Qeveri e Kuvend.

“Unë statuset i kam të herë pas hershme. Presidenten e kam mike shumë të mirë. Dhe herë pas here pimë kafe dhe diskutojmë për procese të ndryshme politike. Ajo nuk mund të jetë pjesë e Guxo-s për shkak të obligimeve kushtetuese. Por, gjithë ne një numër i madh i tyre qe kanë funksione publike, nuk do të ishin të mundshëm, bile ka prej atyre që nuk kanë pasur kapital politik, por falë Vjosa Osmanit janë në ulëset e Kuvendit dhe qeverisë”, ka thënë Peci.

Ai tha se kanë një koordinim dhe pajtueshmëri në parti me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, por që delegatët do të vendosin me votë të fshehtë se kush do të jetë kryetari i ri.

Kuvendi po mbahet me dyer të mbyllura për media ku pritet zgjedhja e organeve dhe statutit të partisë.

 

Të ngjashme