Lajme
Peci e sulmonte AAK-në për zyrat, por partia e tij GUXO s’e respektoi ligjin dhe fshehu zyrat, gjobitet me 4.000 euro
Demokracia
16:10 | 17 Korrik 2024

Share:

Partia Guxo e Faton Pecit dhe Donika Gërvallës kanë shkelur rëndë Ligjin për Financimin e Partive Politike. Ndonëse në raportin e dorëzuar në KQZ për vitin 2023 kjo partia nuk ka asnjë shpenzim, Zyra e Partive Politike në KQZ ka thënë se subjekti në fjalë e ka shfrytëzuar një zyre. Për këtë shkelje të ligjit, kjo parti është dënuar me 4 mijë euro.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, kishe bërë bujë para disa muajve duke e udhëhequr aksionin për largimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nga zyrat e saj në “Ulpianë”. Por, partia Guxo, e i cila udhëhiqet nga Peci, është zënë në flagrancë në shkelje të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, pikërisht për çështje të zyrave partiake.

Kjo pasi partia e Faton Pecit dhe Donika Gërvallës nuk i ka treguar KQZ-së në raportin vjetor të vitit 2023 se kanë shfrytëzuar ndonjë zyre gjatë këtij viti.

Kjo ka bërë që partia Guxo të marrë “mohim të opinionit” në procesin e auditimit.

Për këtë arsye, Zyra për Regjistrim, Certifikim, dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike në Komision Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), më 12 korrik, e ka gjobitur me 4 mijë euro partinë e Pecit dhe Gërvallës.

Gazeta Nacionale ka siguruar dokumentacionin e GUXO-së në KQZ, i cili tregon se kjo parti nuk ka shfrytëzuar asnjë zyre, raportin e auditimit dhe vendimin dënues të Zyrës së Partive Politike në KQZ.

Çfarë ka ndodhur?

Ligjin për Financimin e Partive Politike i obligon të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë që për çdo vit të deklarojnë raportet financiare të shpenzimeve vjetore. Sipas ligjit, ato janë të obliguara t`i deklarojnë edhe të donacioneve që pranojnë.

Më pas, këto raporte auditohen çdo vit nga auditorët të cilët përzgjidhen me tender nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Gjatë auditimit të raporteve financiare të vitit 2023, auditorët kanë gjetur se partia politike Guxo nuk ka deklaruar asnjë aktivitet financiar.

Kjo dëshmohet nga raporti i Guxo-së që është dorëzuar në KQZ.

Për këtë arsye, partia Guxo ka marrë “mohim të opinionit” në procesin e auditimit, një nga kualifikimet më të rënda që përdoret në një proces auditimi. Sipas ligjit, mohimi i opinionit formulohet kur pamundësohet sigurimi i provave të mjaftueshme të përshtatshme të auditimit.

Duke mos paraqitur asnjë të dhënë në raportin financiar, Guxo ka pamundësuar kryerjen e procedurave thelbësore të auditimit.

Pasqyrat financiare nuk paraqesin asnjë aktivitet financiar për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2023 përkundër faktit që subjekti politik ka aktivitet të zhvilluar përgjatë vitit. Si auditorë, ne mbështesim në të dhënat financiare për të vlerësuar drejtësinë e pasqyrave financiare, duke përfshirë plotësinë, saktësinë dhe pajtueshmërinë me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar. Në këtë rast, mungesa e aktivitetit financiar na pengon nga kryerja e procedurave thelbësore të auditimit dhe i bën pasqyrat financiare të pavlefshme nga informacioni thelbësor i nevojshëm për një auditim ”, është thënë në opinionin e auditorëve.

Partia GUXO, në raportin që e ka dorëzuar në KQZ për vitin 2023 nuk ka paraqitur asnjë të dhënë, madje nuk i ka treguar KQZ-së as për shfrytëzimin e ndonjë objekti si seli qendrore. Por, ky fakt nuk i ka shpëtuar këtij institucioni.

Për këtë arsyeje, Zyra e Partive Politike në KQZ e ka gjobitur këtë subjekt politik me 4 mijë euro.

Në përputhje me neni 15 të Ligjit për Financim të Subjekteve Politike theksohet qartë se, raporti vjetor financiar i subjektit politik të regjistruar duhet të përmbajë të dhënat për të gjitha shpenzimet si dhe regjistrin e të gjitha kontributeve për subjektin e regjistruar politik. Subjekti politik edhe pse ka raportuar që nuk ka asnjë shpenzim as të hyrë gjatë vitit 2023, nga verifikimi i dokumentacionit të dorëzuar në Zyrë, konstatohet se subjekti politik ka shfrytëzuar një lokal si zyrë për selinë qendrore gjatë vitit 2023, por të njëjtin nuk e ka pasqyruar si të hyrë nga kontributi në natyrë, në mallra dhe shërbime, por as si shpenzim nga qiraja”, thuhet në vendimin e Zyrës së Partive Politike në KQZ, të cilin e ka siguruar Nacionale.

Për më tepër, sipas pikës III të vendimit, ky subjekt politik është i obliguar që “në pasqyrat financiare për vitin 2024, të cilat shfrytëzohen jo më vonë se data 01.03.2025, t’i paraqes dëshmitë për shfrytëzimin e zyrave, që përfshinë selinë qendrore dhe degët nëpër komuna, nëse kanë”.

Të ngjashme