Lajme
Peci dëshiron t’i zhduk “gjurmët” e Haradinajt nga ish-selia e AAK-së, bën gati tenderin 360 mijë euro për ta renovuar
Demokracia
10:21 | 16 Gusht 2024

Share:

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila udhëhiqet nga Faton Peci, ka vendosur ta renovojë për nevojat e veta ish-selinë e AAK-së, që është përdorur deri para pak muajsh nga partia e Ramush Hradinajt, shkruan Demokracia.com.

Në mars të këtij viti, Ministri i Bujqësisë kishte njoftuar se i janë rikthyer 600 metra katrorë të një objekti në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë. Në këtë objekt, që tashmë e ka marrë Ministria e Bujqësisë, ka qenë për shumë vite selia qendrore e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Tash kur objekti është i boshatisur që rreth 5 muaj, ministria e Pecit ka vendosur të investojë në të.

“Renovimi i objektit të MBPZHR-së në Ulpianë Prishtinë për pjesën që aktualisht është për shfrytëzim nga MBPZHR”. Kështu quhet tenderi që i është dhënë konsorciumit LIMITPROJECT SH.P.K.; LURN SH.P.K në një vlerë prej 359,827.85 euro. Kompania ‘Limiproject’ ka marrë mjaft shumë tenderë viteve të fundit nga Qeveria Kurti.

Ministria ka paraparë në tender që brenda hapësirave të vendosen elemente të kualitetit të lartë, si: “Furnizimi me material dhe aplikimi i dyshemesë “EPOX” në të gjithë sipërfaqen e pushimores (parahyrjes). Dyshemeja duhet të jetë e kualitetit të lartë, rezistente ndaj ferkimit dhe lehtë e mirëmbajtëshme. Llajsnet anësore me lartësi minimale t=8cm. Ngjyra të përzgjidhet nga investitori”, apo “Furnzimi dhe montimi i tepihut industrial me trashësi minimale t=0.5cm. Tepihu të paloset edhe në pjesët anësore përgjatë shkallëve dhe pushimoreve. Ngjyra dhe tekstura të përzgjidhet nga investitori”, etj.

Afati i punimeve është paraparë të jetë 60 ditë nga nënshkrimi i kontratës. /Demokracia.com/

Të ngjashme