Lajme
PDK: Presidentja Osmani dhe Qeveria Kurti shkelën për herë të dytë Kushtetutën
Demokracia
14:24 | 19 Shtator 2023

Share:

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Përparim Gruda, ka reaguar pas dekretimit të Ligjit për Zyrtarët Publikë nga presidentja Vjosa Osmani, ndonëse Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar këtë ligj muajin e kaluar.

Gruda, në një konferencë për media, tha se ky është një akt i paprecedentë i mashtrimit publik dhe shkelje e qëllimshme e Kushtetutës, sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë obligative për të gjitha autoritetet publike në Kosovë.

“Me këtë akt, fatkeqësisht, edhe presidentja e Kosovës e cila e ka dekretuar këtë ligj, ka bërë shkelje të Kushtetutës, duke iu bashkuar kështu shkeljeve të vazhdueshme që bën Qeveria. Pasi nuk kanë arritur që në rrugë normale kushtetuese të imponojnë agjendën e tyre politike në legjislacion, shumica parlamentare në bashkëpunim me presidenten, kanë vendosur që të bëjnë një akt të paprecedentë të mashtrimit publik me tekstin e ligjit dhe shkeljes së Kushtetutës”, tha Gruda.

Gruda theksoi se përmes këtij ligji, pushteti synonte që administratën e shtetit ta vinte në shërbim të partisë.

“Gjykata ka gjetur një varg vërejtjesh, veçanërisht ka rrëzuar atë që ishte quajtur nga Qeveria si “Kriteri i Përshtatshmërisë për Punësim”, duke deklaruar se ky kriter, kështu siç është, është jokushtetues dhe nuk mund të përfshihet në ligj. Në aktgjykim u ngarkua Kuvendi i Kosovës dhe Presidentja e Kosovës, që ligjin ta dekretonte ligjin dhe ta botonin në gazetën zyrtare pa këtë formulim. Pra, ligji të ishte i pastruar nga kriteri i përshtatshmërisë. Për habinë tonë, kur morëm ta lexojmë ligjin e publikuar në Gazetën Zyrtare, pamë se ka ndodhur diçka që nuk ka ndodhur asnjëherë në përvojën kushtetuese dhe parlamentare të Kosovës së pavarur. Ligji ishte dekretuar pa u adresuar kërkesa e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e përshtatshmërisë. Pra, përshtatshmëria ekziston edhe sot në Ligjin e Dekretuar nga Presidentja dhe është botuar në Gazetën Zyrtare, përkundër se Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar atë”, shtoi ai.

Gruda tha se pushteti aktual do të mbahet mend për shkeljet sistematike që ia ka bërë Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Një gjë është e sigurte, se ky pushtet, përveç keqqeverisjes së skajshme, izolimit ndërkombëtar, korrupsionit, do të mbahet mend më së shumti për shkeljet sistematike që ia ka bërë aktit më të lartë juridik të shtetit tonë – Kushtetutës së vendit”, theksoi Gruda.

Të ngjashme