Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka bërë të ditur se tashmë është nënshkruar kontrata për stadiumit e qytetit dhe shumë shpejt pritet të fillojnë punimet.
Ndaj këtij zhvillimi, ka reaguar kryetari i PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, i cili fillimisht e cilësoi si një lajm të mirëpritur për sportin dhe qytetarët e komunës, por që sipas tij, pas kësaj qëndron një histori më e errët që ngre shumë pikëpyetje.
Sic thotë ai, projekti është manipuluar që në fazën e projektimit dhe shpalljes së tenderit, duke aluduar në favorizim të një kompanie të caktuar dhe përfitime të mundshme personale për zyrtarë komunalë.
Ai thotë se projekti për stadiumit u ndryshua me arsyetimin për “përmirësim”, po që në realitet kjo ka shkaktuar rritje të kostos për disa miliona euro.
Tutje, Rashiti ka përmendur edhe ndërhyrjet e OSHP-së, ku e njëjta sipas tij, ka anuluar disa herë këtë tendër për shkak të shkeljeve të konstatuara në procesin e prokurimit.
Sipas tij, komuna në tenderin fillestar kishte përfshirë kritere në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Ndër faktet e tjera të listuara nga ai, është se për shkak të këtyre shkeljeve ligjore, Ministria e Kulturës mori përsipër të zhvillojë procedurat e tenderimit.
Në përmbyllje, ai kërkon nga kryetari Hyseni që të jap shpjegim për këtë dallim në çmim.